Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas vendimit të kryeministrit për të bllokuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, duke e cilësuar këtë veprim si një akt puçist dhe antikushtetues që godet drejtpërdrejt drejtësinë.
Në një deklaratë zyrtare, PD akuzon kryeministrin se po përdor pushtetin për të mbrojtur me çdo kusht bashkëpunëtoren e tij politike, duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje të hapur për të penguar hetimin penal. Sipas opozitës, bllokimi i procesit i krijon kushte Ballukut që të prishë, fshehë ose manipulojë prova, si dhe të ushtrojë presion mbi dëshmitarët.
Demokratët theksojnë se kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut nuk ka asnjë lidhje me Gjykatën Kushtetuese, por bazohet në fakte dhe dokumente konkrete mbi abuzime financiare që, sipas tyre, kapin vlerën e mbi 1.2 miliardë eurove. Në deklaratë përmenden edhe afera të tjera madhore infrastrukturore, të cilat, sipas PD-së, janë pjesë e së njëjtës skemë korrupsioni.
PD akuzon kryeministrin se me këtë veprim jo vetëm po bllokon drejtësinë, por po uzurpon edhe kompetencat e Parlamentit, duke shkelur hapur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, e cila parashikon shqyrtim të menjëhershëm të kërkesave të Prokurorisë për masa sigurie ndaj ministrave dhe deputetëve.
Sipas opozitës, ky është një precedent i rrezikshëm që synon të mbrojë jo vetëm një zyrtare të lartë, por edhe vetë kryeministrin, duke e kthyer pushtetin ekzekutiv në një mburojë personale kundër drejtësisë.
Në përfundim, Partia Demokratike i bën thirrje qytetarëve që të reagojnë dhe të bashkohen në protestën e paralajmëruar, duke e cilësuar këtë moment si një betejë vendimtare për mbrojtjen e ligjit, Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës.
“Është koha për të mbrojtur demokracinë dhe për t’i thënë ndal kapjes së drejtësisë,” thuhet në deklaratën përmbyllëse të PD-së.
