Kontrolli i Lartë i Shtetit: 273 milionë euro dëm ekonomik në vitin 2025

Data

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raportin për vitin 2025, duke evidentuar një nivel të lartë shkeljesh dhe dëmi ekonomik në administratën publike, që arrin në rreth 273 milionë euro.

Sipas raportit, problemet janë të përhapura në pothuajse të gjithë sektorët, nga prokurimet publike dhe financat, te tatimet, doganat, shëndetësia, energjia dhe siguria ushqimore. Gjatë vitit janë kryer 190 auditime dhe janë dhënë mijëra rekomandime për përmirësim.

Në fushën e prokurimeve publike janë konstatuar shkelje të konkurrencës, skualifikime të padrejta, fonde të fryra dhe pagesa për punë të pakryera. Në disa raste, procedurat janë manipuluar duke favorizuar oferta më të larta, me pasoja direkte për buxhetin.

Në tatime dhe dogana, raporti evidenton rritje të detyrimeve të papaguara dhe mungesë efikasiteti në mbledhjen e tyre, ndërsa në shëndetësi janë gjetur probleme serioze me menaxhimin e barnave, përfshirë raste me afate skadence të afërta dhe rimbursime të dyshimta.

Probleme janë konstatuar edhe në planifikimin e buxhetit, ku janë regjistruar vonesa, tejkalime fondesh dhe shpenzime të përqendruara në fund të vitit, duke rritur rrezikun fiskal.

Raporti ngre shqetësime edhe për sigurinë ushqimore, mjedisin dhe infrastrukturën, si dhe për dobësi në sigurinë kibernetike të institucioneve publike.

Gjatë vitit 2025, KLSH ka dërguar 8 kallëzime penale dhe 43 materiale për hetim në organet ligjzbatuese, duke theksuar nevojën për përgjegjësi dhe masa konkrete për përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related