Policia e Kosovës ka zhvilluar këtë të mërkurë kontrolle në disa shkolla në Mitrovicë dhe Skënderaj, ku janë zbuluar armë dhe mjete të rrezikshme në posedim të nxënësve.
Sipas njoftimit zyrtar, në një shkollë të mesme në Skënderaj, gjatë kontrollit të realizuar nga stafi i shkollës, janë konstatuar dy raste të ndara.
Njërit prej nxënësve iu gjet një thikë, ndërsa një tjetër posedonte një pistoletë, 19 fishekë, një gëzhojë dhe një predhë të armës së gjatë.
Pas njoftimit të autoriteteve, policia ka sekuestruar të gjitha sendet e dyshuara dhe ka shoqëruar dy nxënësit në komisariat.
Ata janë marrë në pyetje në prani të prindërve dhe mbrojtësve të tyre ligjorë.
Sipas policisë, me urdhër të prokurorit për të mitur, nxënësit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj të miturit tek i cili u gjet arma e zjarrit është iniciuar rast penal për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Rasti ka rikthyer shqetësimet për sigurinë në shkolla dhe posedimin e armëve nga të miturit në Kosovë.
