Ilda Zhulali: Axhenda e Eric Wendt është një “shpallje lufte” ndaj korrupsionit dhe karteleve të drogës në Shqipëri

Data

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare Ilda Zhulali ka komentuar paraqitjen e kandidatit amerikan për ambasador në Shqipëri, Eric Wendt, duke e cilësuar axhendën e tij si një ndryshim të fortë në qasjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Tiranës zyrtare.

E ftuar në një studio televizive, Zhulali deklaroi se Wendt ka vendosur në qendër të prioriteteve të tij luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe karteleve të drogës, duke bërë kontrast të qartë me ambasadorët e mëparshëm amerikanë.

Sipas saj, ndryshe nga ish-ambasadorja Yuri Kim, e cila kishte fokus te siguria, mbrojtja dhe bashkëpunimi ekonomik, apo Donald Lu, që sipas saj nuk e kishte prioritet çështjen e kanabisit në fillim të mandatit, Wendt po shfaq një qasje shumë më direkte.

“Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe karteleve të drogës është më specifike se kaq nuk ka çfarë të bëhet më”, u shpreh Zhulali.

Ajo theksoi se deklaratat e kandidatit amerikan nuk janë thjesht retorikë diplomatike, por bazohen në dosjen e përgatitur nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe në një konsensus bipartiak në Uashington.

Sipas Zhulalit, kjo i jep Wendt një mandat të fortë për të zbatuar prioritetet e shpallura gjatë punës së tij në Shqipëri.

Ekspertja nënvizoi gjithashtu se në prezantimet e zakonshme të kandidatëve për ambasadorë në vende të tjera të rajonit, fokusi zakonisht vendoset tek forcimi i marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit, ndërsa në rastin e Shqipërisë vëmendja është përqendruar te korrupsioni dhe krimi i organizuar.

“Kjo axhendë është e qartë si drita e diellit dhe bën kontrast shumë të madh me komunikimin e ambasadorëve të mëparshëm”, deklaroi ajo.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related