Një 47-vjeçar është arrestuar nga policia kufitare në Korçë, pasi u kap duke transportuar medikamente pa dokumentacionin përkatës nga Greqia.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi me iniciale I.Ç., banues në Greqi, u ndalua gjatë një kontrolli të ushtruar në bashkëpunim me shërbimet doganore në vijën e dytë të kontrollit.
Gjatë verifikimit të automjetit të tij, policia gjeti një sasi ilaçesh të dyshuara si të kontrabanduara, të cilat nuk shoqëroheshin me dokumentacionin ligjor.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan medikamentet, automjeti si dhe një aparat celular.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM) Korçë kanë kryer arrestimin në flagrancë të 47-vjeçarit për veprën penale “kontrabanda me mallra të licencuara”.
Materialet procedurale i janë referuar prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të rastit.
