Detaje nga aksidenti në Lezhë: Humb jetën polici dhe bashkëshortja mësuese, plagosen nëna dhe dy fëmijë

Data

Ditët e para të vitit 2026 kanë nisur me bilanc tragjik në rrugët e vendit. Një aksident i rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në afërsi të fshatit Gocaj.

Si pasojë e përplasjes së fortë mes dy automjeteve, kanë humbur jetën dy persona, ndërsa tre të tjerë janë plagosur. Viktimat janë një çift bashkëshortësh nga Puka, të identifikuar si Petrit Florini, 53 vjeç, efektiv policie, dhe bashkëshortja e tij Elona Florini, 42 vjeçe, mësuese.

Në automjetin tjetër udhëtonte një familje, ku mbetën të plagosur një grua dhe dy fëmijët e saj të mitur, të moshës 6 dhe 2 vjeç. Fatmirësisht, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmë mjekësore.

Për nxjerrjen e trupave nga mjetet e shkatërruara ndërhynë forcat zjarrfikëse, ndërsa policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Ndërkohë, temperaturat e ulëta dhe ngricat kanë shkaktuar edhe aksidente të tjera në disa akse rrugore të vendit. Në afërsi të Rrëshenit, një autobus është përmbysur, ndërsa në rrethrrotullimin e Savrës janë përplasur dy automjete, fatmirësisht pa lëndime në njerëz.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal në qarkullim, veçanërisht në zonat ku ka ngrica dhe kushte të vështira atmosferike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related