Prokurorisë së Posaçme i janë dashur 4 vite për të përfunduar hetimet për koncesionin e sterilizimit të kallëzuar në SPAK nga nisma “Thurje” me vlerë 100 milion euro dhe për një periudhë 10 vjeçare. Hetimet zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, 100 milionë euro për 10 vite, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.
Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij. Shkelje ligjore u gjetën edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që kanë qenë sipas SPAK “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.
