Ish-kryetarja së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami reagon ndaj raportimeve në media se ajo bashkë me kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka bënë pazare për emërimet në sistemin e drejtësisë.
Llagami thotë se komunikimet elektronike mes saj dhe Bushkës nuk kanë ndodhur kurrë, por janë të fabrikuara dhe janë shpërndarë në mënyrë anonime. Ajo paralajmëron se për gjithë sa ka ndodhur do të ndjekë rrugën ligjore. Të nderuar miq, kolegë, bashkëpunëtorë, përfaqësues të medias, qytetarë, e ndiej të nevojshme të reagoj sërish ndaj disa artikujve të publikuar ndaj meje.
Në përmbajtjen e tyre janë publikuar komunikime elektronike me znj. Bushka të cilat nuk kanë ndodhur kurrë por janë fabrikuar, fakt që është lehtësisht i verifikueshëm. Ato janë shpërndarë në mënyrë anonime në media të ndryshme, nga i njëjti person që në mënyrë të vazhdueshme vitin e fundit, më ka përndjekur në platformat sociale “Linkedin, Facebook”, duke postuar materiale që cenojnë haptazi dhe rëndë figurën dhe imazhin tim.
