Komisioni Evropian propozon heqjen e roaming-ut për Ballkanin Perëndimor

Data

Komisioni Evropian ka propozuar nisjen e negociatave me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i përfshirë në regjimin e Bashkimit Evropian “Roam Like at Home”, që parashikon përdorimin e telefonisë celulare pa tarifa shtesë roaming-u.

Programi “Roam Like at Home”, i zbatuar nga BE-ja që prej vitit 2017, u mundëson qytetarëve të përdorin telefonin e tyre në vendet anëtare me të njëjtat tarifa si në shtetin e origjinës, pa kosto shtesë për thirrjet, mesazhet apo internetin.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se tarifat e roaming-ut përbëjnë një problem real për qytetarët e rajonit, sidomos për ata që punojnë jashtë vendit dhe familjet që komunikojnë ndërkufitarisht.

“Faturat e papritura gjatë udhëtimeve janë diçka që nuk e pranojmë më në BE. Sot propozojmë nisjen e bisedimeve për ta përfshirë në këtë regjim edhe Ballkanin Perëndimor,” deklaroi ajo.

Për hapjen e negociatave nevojitet miratimi i Këshilli i Bashkimit Evropian. Më pas, Komisioni do të negociojë marrëveshje dypalëshe me secilin shtet të rajonit. Zbatimi do të kërkojë harmonizim të plotë me legjislacionin e BE-së për roaming-un.

Zëdhënësi i Komisionit, Ricardo Cardoso, sqaroi se procesi është i ndërlikuar dhe afatet varen nga gatishmëria e vendeve të rajonit për të përmbushur kriteret teknike dhe ligjore.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut – synojnë integrimin në BE, ndërsa përfshirja në “Roam Like at Home” shihet si një hap konkret drejt afrimit me tregun e përbashkët europian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related