Vitin që vjen qeveria e Shqipërisë do të angazhojë edhe tre koncesione të reja PPP në Korridorin Adriatiko-Jonian, të cilat do të ndërtohen nga privati kundrejt pagesës direkte në toll.
Teksa me 2025 numri i rrugëve për të cilat do të paguhet tarifë përdorimi do të arrijë në tre (Milot-Rrëshen, Thumanë-Kashar, Tuneli i Vlorës) dhe pas pak vitesh do të jenë së paku në 6. Të dhënat krahasuese tregojnë se Shqipëria ka tarifat më të larta të pagesës në rrugë.
Përveç kësaj Shqipëria futet në vendet me çmimet më të larta të karburanteve në rang global.
Sipas të dhënave globale mbi çmimet e naftës, çmimi mesatar i naftës në mbarë botën është 1,18 dollarë amerikanë për litër, në Shqipëri ishte 1,89 dollarë amerikane. Të dhënat që i takojnë datës 28 tetor 2024 tregojnë se çmimi i naftës në Shqipëri është 60 për qind më shumë se mesatarja globale. Të dhënat tregojnë se Shqipëria renditet e treta në botë për çmimet e larta të naftës.
Vitin e kaluar buxheti i shtetit arkëtoi 19,5 miliardë lekë ose më shumë se 190 milionë euro nga taksat e qarkullimit mbi naftën. Kjo taksë që ka qëllim që të grumbullojë të ardhura që të mund të përballojnë mirëmbajtjen e rrugëve siguron arkëtim disa herë më shumë se nevojat.
