Komisioni Evropian ka miratuar një propozim historik për t’i dhënë Ukrainës një kredi dëmshpërblimi prej 165 miliardë euro, duke përdorur asetet shtetërore dhe private ruse të ngrira në territorin e Bashkimit Europian, kryesisht në Belgjikë. Dokumentet e siguruara nga Politico zbulojnë se masa është pjesë e një pakete të gjerë ndihme ekonomike me vlerë 210 miliardë euro, e konceptuar për të mbështetur Kievin në vitet e ardhshme.
Si do të financohet kredia?
Sipas propozimit të Komisionit:
- 25 miliardë euro do të vijnë nga asetet e ngrira ruse të mbajtura në bankat private brenda BE-së.
- 140 miliardë euro të tjera nga asetet shtetërore të ngrira të depozituara në Euroclear Bank, Belgjikë.
Këto fonde do të shërbejnë si garanci për kredinë, e cila do të përdoret për të kompensuar dëmet e shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë.
Propozimi do t’i paraqitet vendeve anëtare për negociata teknike të menjëhershme, ndërsa vendimi politik pritet të merret në samitin e udhëheqësve të BE-së në mesin e dhjetorit.
Ukraina do ta shlyejë kredinë vetëm në një skenar të largët
Dokumenti thekson se Ukraina nuk do të ketë detyrimin ta shlyejë kredinë, përveçse nëse:
- Rusia i jep fund luftës;
- Moska paguan zyrtarisht dëmshpërblimet e luftës.
Të dyja këto skenarë konsiderohen jashtëzakonisht të pamundur, çka e bën nismën de facto një formë ndihme të kushtëzuar, jo një kredi me kthim të garantuar.
Ku do të shkojnë fondet?
Nga kredia dëmshpërblyese prej 165 miliardë euro:
- 115 miliardë euro do të financojnë industrinë e mbrojtjes së Ukrainës;
- 50 miliardë euro do të mbulojnë nevojat fiskale dhe funksionimin e shtetit;
- 45 miliardë euro të pjesës së mbetur do të destinuar për shlyerjen e një kredie të marrë nga G7 në vitin 2024.
Komisioni paralajmëron se “arka e luftës” e Ukrainës mund të boshatiset në prill, ndaj ndihma e re konsiderohet jetike për të shmangur kolapsin financiar.
Pengesa kryesore: kundërshtimi i Belgjikës
Qeveria belge ka qenë vendi më skeptik brenda BE-së, duke paralajmëruar rreziqe serioze të hakmarrjes ruse.
Ministri i Jashtëm belge Maxime Prévost deklaroi:
“Teksti i Komisionit nuk i adreson shqetësimet tona. Kemi ndjesinë zhgënjyese që pikëpamjet tona nuk u dëgjuan.”
Belgjika kërkon garanci nga shtetet e BE-së në rast se Rusia tenton të rikuperojë paratë e konfiskuara, duke parë rrezik si për vetë shtetin, ashtu edhe për Euroclear, i cili mban pjesën më të madhe të fondeve.
Komisioni: BE gati të sigurojë financim urgjent
Për të shmangur mungesën e likuiditeteve në Ukrainë gjatë fillimit të vitit, Komisioni ka sinjalizuar se është i gatshëm të aktivizojë borxh të BE-së për të siguruar një financim emergjent provizor, derisa të finalizohet skema e madhe e kredisë dëmshpërblyese.
