Koçiu për Zvërnecin: Turizmi nuk zhvillohet duke parë investimet e huaja si pushtim

Data

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka mbrojtur projektin turistik të planifikuar në Zvërnec, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të ndërtojë një industri moderne turizmi nëse investimet e huaja perceptohen si kërcënim apo pushtim.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu publikoi shembuj nga resorte të njohura turistike në Turqi, duke argumentuar se ky model zhvillimi është tashmë i konsoliduar në vendet e Mesdheut si Turqia, Mali i Zi, Kroacia dhe Greqia.

Sipas saj, Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për të konkurruar me destinacionet më të rëndësishme turistike të rajonit dhe nuk duhet të humbasë këtë mundësi.

“Është paradoksale të kërkojmë standarde më të larta në turizëm dhe përfitime ekonomike prej tij, ndërsa në të njëjtën kohë e shohim investimin e huaj si pushtim. Zhvillimi i qëndrueshëm nuk do të thotë shkatërrim i natyrës, por harmonizim i saj me infrastrukturën moderne dhe krijim i mirëqenies për qytetarët”, u shpreh Koçiu.

Ajo theksoi se investimi i parashikuar prej 4 miliardë eurosh në Zvërnec do të krijojë vende pune, do të nxisë ekonominë lokale dhe kombëtare, si dhe do të tërheqë investime të tjera në sektorin e turizmit.

Sipas zëvendëskryeministres, Shqipëria duhet të dalë nga modeli i turizmit pa planifikim dhe të ndërtojë një strategji afatgjatë që e shndërron vendin në një destinacion konkurrues në Mesdhe.

“Ky nuk është projekti i një qeverie apo i një grupi investitorësh. Është një garë e Shqipërisë për t’u bërë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në rajon dhe për të garantuar zhvillim për brezat që do të vijnë”, theksoi Koçiu.

Deklarata e saj vjen në një kohë kur protestat kundër projektit në Zvërnec vijojnë në disa qytete të vendit, ndërsa debati publik mbi ndikimin e investimit në mjedis dhe zhvillimin ekonomik mbetet i ndezur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related