“KM më kërkoi të takoj Ramë Gecin” – Rëndohen pozitat e Ballukut, dalin biseda të reja me Evis Berberin: 10 mln euro pa TVSH! Si ‘Geci sh.p.k’ fitoi tenderin e rrugës Porto Romano në Durrës

Data

Pozitat e Belinda Ballukut, për të cilën SPAK ka kërkuar autorizim për arrestim, vijojnë të rëndohen me publikimin e materialeve të reja nga dosja hetimore. Janë zbardhur komunikime të tjera mes zv.kryeministres dhe ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, të cilat hedhin dritë mbi mënyrën e ndjekjes së disa procedurave të prokurimit.

Sipas dosjes, nga telefoni “BlackBerry” i sekuestruar i Evis Berberit, janë zbuluar biseda të zhvilluara më 24 gusht 2021. Në një nga mesazhet, Belinda Balluku i shkruan vartësit të saj se ka zhvilluar një takim me biznesmenin Ramë Geci, me kërkesë të drejtpërdrejtë të kryeministrit.

Në komunikimin e orës 13:49, Balluku shkruan:

“KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”.

Pak minuta më pas, Evis Berberi i përgjigjet duke sqaruar se e kishte takuar edhe vetë biznesmenin në kantier, duke bërë një inspektim në zonën e punimeve. Biseda vijon me diskutime mbi projektin dhe vlerën financiare të tij.

Në një tjetër mesazh, Balluku pyet:

“Në PR do e çojmë këtë, them unë. Sa është PR?”

Ndërsa Berberi përgjigjet:

“15 ml, rreth diku te 10 ml euro pa TVSH, 15 miliardë lekë”.

Sipas SPAK, këto komunikime lidhen drejtpërdrejt me procedurën e prokurimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar për projektin “Ndërtim rruga Porto Romano – Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”. Procedura është shpallur më 15 shtator 2021 dhe më pas, në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik të datës 22 nëntor 2021, është publikuar njoftimi për vlerësimin e ofertave.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se fituese e tenderit është shpallur shoqëria “Geci” sh.p.k., e cila ka si ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Ramë Geci. Kontrata është lidhur mes ARRSH-së dhe kësaj shoqërie për ndërtimin e segmentit rrugor në zonën e Porto Romanos në Durrës.

SPAK e konsideron këtë komunikim dhe mënyrën e ndjekjes së procedurës si pjesë të dyshimeve për ndërhyrje të paligjshme në proceset e prokurimit, çka ka çuar në rëndimin e akuzave ndaj Belinda Ballukut, e cila tashmë po hetohet për disa dosje të mëdha infrastrukturore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related