Kontrolli i Lartë i Shtetit vazhdon të zbulojë shkeljet e rënda te koncesionet aktive në shëndetësi, të cilat janë nën skanerin e Prokurorisë së Posaçme. Sipas KLSH, duke nisur nga ai i kontrollit bazë (check up) e deri tek ai i pajisjeve kirurgjikalë shfaqin ka ende problematika të cilat ndryshojnë nga rasti në rast. Këto nisin nga kontrollet e pakryera por të faturuara, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i aplikuar por që në shëndetësi nuk gjen zbatim sipas kuadrit ligjor në fuqi apo edhe tejkalimi i parashikimit të shpenzimeve në disa kontrata të cilat duhet të mbulohen nga buxheti. Në një auditim pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) KLSH nënvizon disa nga gjetjet e tij për secilën prej kontratave duke rekomanduar që ndoshta Ministria dhe autoritetet e tjera përgjegjëse të shohin mundësinë e rishikimit të kontratave.
Gjetjet e KLSH
Referuar të dhënave lidhur me financimin dhe likuidimin e shpenzimeve për Kontratën e Koncesionit “PPP-Kontrolli Mjekësor Bazë” dhe “PPP-Sterilizimi i pajisjeve mjekësore”, 5 është likuiduar me TVSH vlera e shpenzimeve të kryera për dhënien e këtyre shërbimeve, sipas përcaktimeve kontraktore. Përcaktimi i mënyrës së pagesës, është në kundërshtim me Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe PPP”, neni 27 “Përmbajtja e kontratës”, pika 1. Kryerja e pagesave sipas faturës së lëshuar nga koncesionari me TVSH, është në kundërshtim me Ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, Kreu VIII, neni 51, germa “c” dhe Udhëzimin nr. 6, datë 30.01.2015 “Për TVSH-në në Republikën e Shqipërisë” neni 38 “Furnizimet e barnave dhe shërbimeve shëndetësore”. Lidhur me financimin e Kontratës Koncesionare nr. 1503/44, datë 10.02.2016 “Për ofrimin e hemodializës”, edhe për vitin 2023 pagesa e koncesionarit vijon të mos bëhet për shërbim të kryer, por për shërbim të faturuar, i cili përfshin likuidimin e rasteve të pakryera ose nën projeksion vjetor, si dhe të rasteve të realizuara mbi projeksion mujor, të secilës qendër dialize, konkretisht për 9,241 raste nën projeksion dhe 1,557 raste mbi projeksion, në shumën 103,527 mijë lekë. Sipas të dhënave të vendosura në dispozicion nga FSDKSH, në lidhje me financimin e kontratave PPP, ka rezultuar se në tre kontrata, vlera e financimit vjetor, si dhe parashikimet e financimit të tyre në PBA 2023-2025, janë përtej mbështetjes buxhetore të parashikuar për zbatimin e tyre” thuhet në raport.
