Vijon marrëveshja Rama-Berisha, PS dhe PD bashkojnë votat në Kuvend, miratojnë Kodin Zgjedhor dhe fusin…

Data

Konkretisht dje në Kuvend është finalizuar pakti i dytë mes Sali Berishës dhe Edi Ramës për votën e diasporës. Pas paktit të një viti më parë ku u vendos që për herë të parë të votojë dhe diaspora, dje është arritur marrëveshje dytë, duke ndërhyrë sërish në Kodin Zgjedhor. PS dhe PD bashkuan votat për të kaluar 3 ndryshime: që posta të paguhet nga shteti, vota e emigrantëve të numërohet nga komisionerë politikë dhe afrimin me 10 ditë të afateve zgjedhore. “Fletët e votimit të plotësuara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor nëpërmjet shërbimit postar. Shpenzimet për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit dhe çdo materiali tjetër zgjedhor dhe informativ nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek votuesit nga jashtë, paguhet nga KQZ-ja”, thuhet në draft.

Ndërkohë propozimi i PD që të votohet me pasaporta apo dokumente identifikimi të huaja i është lënë KQZ-së të vendosë. Topi ka kaluar te Komisioni Rregullator, i cili duhet të vendosë nëse do lejohen shqiptarët me shtetësi të huaj të votojë ose jo. “Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë territorit të republikës së Shqipërisë administrohet nga një komision i përbërë prej 4 anëtarësh dhe sekretari, të emëruar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Propozimi për 2 anëtarë bëhet nga partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe për 2 anëtarët e tjerë propozimi bëhet nga partia më e madhe e pakicës parlamentare. Sekretari i komisionit emërohet mbi bazë të aplikimeve të lira dhe duhet të jetë me profesion jurist. Anëtarët dhe sekretari duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nenet 30 dhe 31 të këtij Kodi. Nëse numri në listën përfundimtare të zgjedhësve nga jashtë është më i madh se 80 mijë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve mund të ngrejë më shumë se një komision të numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë, me kushtin që vlerësimi i votave të një qarku të kryhet nga i njëjti komision”, thuhet në draft.

Po ashtu, palët kanë rënë dakord edhe për dy ndryshime të tjera për të rritur tavanin e financimeve dhe kohën e reklamave televizive gjatë fushatës. PD propozoi në Komisionin e Ligjeve që të ketë më shumë hapësirë televizive për kandidatët në listë të hapur në mënyrë që të kenë më shumë mundësi për të bërë fushatë. Dhe sipas dakordësisë, koha për kandidatët që i nënshtrohen votimit të parapëlqyer për të secilit subjekt zgjedhor nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 140 minuta. “Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike për kandidatët e listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit të parapëlqyer për të secilit subjekt zgjedhor nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 140 minuta”, thuhet në draft. Nga ana tjetër me propozim të PS do të ndryshojë edhe financimi i partive politike. “Shuma e shpenzimeve të bëra nga një subjekt zgjedhor, pa përfshirë kandidatët e tij, për fushatën zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 5 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore, në përputhje me nenin 88 të këtij ligji”, thuhet në draft.

Ndërkohë, kandidatët e partive politike mund të vetëfinancojnë fushatën e tyre deri në 3 milionë lekë të rinj. “Kandidatët e partisë politike ose koalicionit zgjedhor të regjistruar si subjekt zgjedhor kanë të drejtë të vetëfinancojnë fushatën e tyre deri në shumën 3 milion lekë. Deklarimi i këtij vetëfinancimi paraqitet nga kandidati së bashku me raportin financiar të dorëzuar nga subjekti zgjedhor që i përket, sipas nenit 92/3. Kandidati bën deklarimin sipas kësaj pike në përputhje me modelet e miratuara nga KQZ. KQZ miraton modelet e raportimit financiar të kandidatëve të subjekteve zgjedhore brenda 10 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Shkelja e përcaktimeve të bëra në këtë pikë nga kandidati i subjektit zgjedhor i nënshtrohet sanksioneve të parashikuar në nenin 173 të këtij Kodi”, thuhet në draft.

Ngërçi për RTSH

Ndërkaq po dje Kuvendi ka votuar për shkarkimi e 11 anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së. Partia Socialiste dhe ajo Demokratike bashkuan ditën e sotme votat për të shkarkuar Këshillin e RTSH-së. Leka Bungo, Gëzim Podgorica, Genc Përmeti, Mevlan Shanaj, Ilir Keko, Ardita Reçi, Milena Selimi, Engjëll Ndocaj, Edmond Tullumani, Dionis Papadhimitri dhe Albert Minga u shkarkuan zyrtarisht pas votimit në Kuvend.

Votimi në Kuvend:

  • Gëzim Podgorica; u shkarkua me 89 vota pro, 5 abstenime, 4 kundër.
  • Genc Përmeti; u shkarkua me 91 vota pro, 0 abstenime, 4 kundër
  • Leka Bungo; u shkarkua me 95 pro, 5 abstenime, 3 kundër
  • Albert Minga; u shkarkua me 88 vota pro, 6 abstenime, 6 kundër
  • Ardita Reçi; u shkarkua me 92 vota pro, 3 abstenime, 3 kundër
  • Dionis Papadhimitri; u shkarkua me 92 vota pro, 3 abstenime, 2 kundër
  • Edmond Tullumani; u shkarkua me 96 pro, 3 kundër, 1 abstenim
  • Engjëll Ndocaj; u shkarkua me 94 vota pro, 4 abstenime, 4 kundër

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related