Një operacion i zhvilluar nga policia në Tirana ka çuar në arrestimin e 25-vjeçarit Klodian Mustafa, i dyshuar për trafikim dhe shitje armësh zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, i riu dyshohet se siguronte armë nga Saranda dhe i transportonte drejt kryeqytetit me qëllim shitjen e tyre në zonat e Freskut dhe Tufinës.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se çmimi i një arme zjarri arrinte deri në 800 euro. Operacioni u zhvillua në kuadër të goditjes së aktiviteteve kriminale që lidhen me armëmbajtjen pa leje dhe shpërndarjen e armëve në kryeqytet.
Policia vijon hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në rrjetin e dyshuar të furnizimit dhe shitjes së armëve.
