Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i është bashkuar protestuesve para Kuvendit të Shqipërisë gjatë zhvillimit të seancës plenare, pasi është përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Parlamentit.
Gjatë fjalës së tij para mbështetësve të opozitës, Balliu u bëri thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit që të qëndrojnë në anën e qytetarëve dhe të mos mbrojnë, sipas tij, interesat e pushtetit.
Ai deklaroi se policia duhet të veprojë në shërbim të shtetit dhe ligjit, ndërsa i ftoi efektivët që të bashkohen me protestuesit për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe të familjeve të tyre.
“Një polici që i shërben hajdutëve është polici e pushtetit, jo e shtetit. Bashkohuni me protestuesit për të drejtat tuaja dhe familjet tuaja”, u shpreh Balliu gjatë protestës.
Deputeti demokrat akuzoi qeverinë për korrupsion dhe tha se opozita do të vazhdojë protestat deri në arritjen e ndryshimeve politike.
Protesta e opozitës po zhvillohet paralelisht me seancën plenare në Kuvend, ku po diskutohet kërkesa e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku.
