Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet urgjentisht për situatën në Liban pas avancimit të forcave izraelite dhe marrjes së Kështjellës Beaufort

Data

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të zhvillojë një mbledhje urgjente për situatën në Liban, pas zgjerimit të operacioneve ushtarake izraelite në territorin libanez dhe marrjes nën kontroll të Kështjellës historike Beaufort nga Forcat e Armatosura të Izraelit (IDF).

Sipas burimeve diplomatike të cituara nga AFP, kërkesa për mbajtjen e takimit është paraqitur nga Franca, e cila ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve në rajon dhe pasojat që mund të sjellë zgjerimi i konfliktit.

Mbledhja për Libanin do të zhvillohet menjëherë pas një takimi tjetër urgjent të Këshillit të Sigurimit, i cili lidhet me rrëzimin e një droni rus mbi një ndërtesë banimi në Rumani. Sipas burimeve diplomatike, seanca për incidentin në Rumani është planifikuar në orën 15:00 sipas kohës lokale të Nju Jorkut, ndërsa diskutimet për situatën në Liban do të pasojnë menjëherë më pas.

Zhvillimet e fundit kanë rritur ndjeshëm shqetësimet ndërkombëtare, pasi Izraeli ka intensifikuar operacionet e tij në jug të Libanit në kuadër të fushatës kundër Hezbollahut. Marrja e Kështjellës mesjetare Beaufort, një pikë me rëndësi të veçantë strategjike dhe historike, është cilësuar nga autoritetet izraelite si një sukses i rëndësishëm ushtarak.

Diplomatët dhe vëzhguesit ndërkombëtarë paralajmërojnë se përshkallëzimi i konfliktit mund të rrisë rrezikun e një destabilizimi më të gjerë rajonal, duke shtuar presionin mbi komunitetin ndërkombëtar për të ndërmarrë hapa diplomatikë në funksion të uljes së tensioneve dhe rikthimit të dialogut.

Takimi i Këshillit të Sigurimit pritet të fokusohet në pasojat e operacioneve ushtarake, situatën humanitare në terren dhe mundësitë për të shmangur zgjerimin e mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related