Në 107-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit, përfaqësues të Partisë Demokratike zhvilluan homazhe pranë varrit monumental të Atit të Pavarësisë në Vlorë. Mes tyre ishte deputeti Bujar Leskaj, kryetari i PD Vlorë Hysni Sharra, si dhe anëtarë e simpatizantë të kësaj force politike, të cilët vendosën kurora me lule në shenjë respekti.
Në fjalën e tij, Leskaj vlerësoi figurën historike të Ismail Qemalit si një shtetar që vendosi interesin kombëtar mbi çdo interes personal, duke e cilësuar atë model të përjetshëm të ndershmërisë dhe përgjegjshmërisë në drejtimin e shtetit. Sipas tij, vlerat që përfaqësonte Ismail Qemali janë sot më të nevojshme se kurrë.
Deputeti theksoi se Shqipëria aktuale, sipas tij, është e përfshirë nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin, duke shtuar se nëse Ismail Qemali do të ishte gjallë sot, nuk do të ishte krenar për realitetin politik dhe institucional të vendit.
Në këtë kuadër, Leskaj bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën qytetare të paralajmëruar, duke theksuar se ajo nuk është partiake, por një reagim qytetar kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes, në frymën e idealeve të Ismail Qemalit.
Ashtu si në vite të tjera, përkujtimi i 107-vjetorit nuk bashkoi klasën politike, pasi homazhet u zhvilluan në orare të ndryshme nga forca të ndryshme politike.
