Deputeti i PD, Belind Këlliçi, deklaroi se gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve u bë publik një zhvillim shqetësues lidhur me hetimin ndaj Belinda Ballukut.
Sipas tij, përfaqësuesit e SPAK kanë informuar se dëshmitarë të përfshirë në dosje janë intimiduar dhe kërcënuar me jetë, jo vetëm nga persona të lidhur me çështjen, por edhe nga eksponentë të krimit të organizuar. Këlliçi tha se kjo, sipas tij, përforcon akuzat e opozitës për ndërthurje të interesave politike me elementë kriminalë.
Ai shtoi se, bazuar në informacione jozyrtare, brenda pak ditësh kryeministri Edi Rama mund të mbledhë Asamblenë e PS për të ndërmarrë ndryshime në qeveri. Sipas Këlliçit, një nga skenarët e mundshëm është shkarkimi formal i Ballukut nga posti i zv/kryeministres dhe ministres, por pa i hequr imunitetin parlamentar.
“E largon nga detyra, por i mban imunitetin, duke i garantuar mbrojtje politike,” u shpreh ai, duke e krahasuar situatën me ndryshimet e vitit 2017 në kabinetin qeveritar.
Deri tani nuk ka reagim zyrtar nga qeveria lidhur me këto pretendime.
