Një investigim mediatik ka rikthyer në qendër të debatit publik marrëdhënien mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë Bankers Petroleum, duke ngritur akuza të forta për favorizim financiar dhe abuzim me pasuritë nëntokësore të vendit.
Në fokus të akuzave vendoset ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila sipas investigimit dyshohet se ka luajtur rol kyç në vendimmarrje që kanë sjellë përfitime të mëdha për kompaninë e naftës.
Sipas materialit investigativ, kompania që operon në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës rezulton prej vitesh nën hetim për mënyrën e deklarimit të fitimeve dhe shpenzimeve, ndërsa pretendohet se shteti shqiptar ka humbur qindra milionë euro të ardhura potenciale.
Investigimi pretendon se, edhe pse kontrata koncesionare parashikonte ndarjen 50% të fitimeve me shtetin shqiptar, kompania nuk ka deklaruar fitim për më shumë se dy dekada aktiviteti, duke raportuar vazhdimisht shpenzime të larta operative.
Sipas raportimeve, kontrollet e kryera nga administrata tatimore dhe institucionet përgjegjëse në vitet 2012 dhe 2014 konstatuan shkelje dhe detyrime tatimore në vlerë rreth 74 milionë euro.
Çështja më pas përfundoi në arbitrazh ndërkombëtar, ku sipas investigimit Shqipëria ka fituar pjesën më të madhe të pretendimeve të saj.
Artikulli ngre dyshime se vendimmarrje të caktuara të marra nga institucionet shtetërore, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë favorizuar kompaninë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Po ashtu përmendet edhe ish-ministrja Anila Denaj, për të cilën pretendohet se ka firmosur vendime që lidhen me trajtimin fiskal të kompanisë.
Investigimi ndalet edhe te mbyllja e rafinerisë së zonës së Fierit, duke pretenduar se shitja e saj për skrap ka sjellë përfitime të mëdha private dhe humbje për shtetin shqiptar.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Belinda Balluku apo institucionet e përmendura lidhur me këto akuza.
