Analisti dhe gazetari Bledian Koka deklaroi se përplasja mes Ervin Salianji dhe sekretarit të përgjithshëm të Partia Demokratike, Flamur Noka, nuk është diçka e re dhe sipas tij dy figurat politike do të pajtohen sërish.
I ftuar në një emision televiziv, Koka kujtoi konfliktin e vitit 2022 mes Nokës dhe Salianjit, duke theksuar se edhe atëherë kishte parashikuar se përplasja do të përfundonte me ribashkim politik.
“Koha tregoi që kështu ndodhi në fakt pas nja dy vjetësh dhe pastaj u bënë prapë bashkë,” u shpreh ai.
Sipas gazetarit, historia politike brenda PD-së ka treguar se konfliktet e brendshme shpesh janë të përkohshme dhe se palët zakonisht gjejnë rrugë pajtimi.
“Unë mendoj që ata do pajtohen prapë,” tha Koka.
Ai shtoi se media duhet të ketë “memorie politike” dhe të mos i trajtojë këto përplasje si zhvillime përfundimtare.
Gjatë analizës së tij, Koka komentoi edhe akuzat që janë ngritur ndaj Salianjit nga vetë strukturat e PD-së, lidhur me nisjen e aksionit të tij politik në një moment kur opozita ishte e përfshirë në beteja të tjera politike.
Sipas tij, vetë Partia Demokratike pretendon se lëvizja e Salianjit për “demokratizimin e PD-së” nisi në një kohë jo të favorshme për opozitën.
