Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër nga foltorja e Kuvendit, duke paralajmëruar qeverinë që të heqë dorë nga organizimi i asaj që ai e cilësoi si një “anti-miting” në qytetin e Vlorës.
Sipas Berishës, administratës publike në jug të vendit i janë dërguar mesazhe për të marrë pjesë në aktivitetin e paralajmëruar, ndërsa e konsideroi këtë praktikë si të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet demokratike.
“Jam këtu për të denoncuar me forcë të madhe vendimin për të organizuar në Vlorë anti-mitingun më të turpshëm. Ju paralajmëroj se anti-mitingjet nuk do të tolerohen dhe do të marrin përgjigjen e duhur”, deklaroi Berisha.
Kreu demokrat akuzoi mazhorancën se po përdor administratën publike për qëllime politike, duke e krahasuar këtë me praktika të së kaluarës.
“A ka akt më të turpshëm se të marrësh nëpunësit dhe t’i nxjerrësh kundër qytetarëve? Hiqni dorë, anulojeni. Keni dërguar mesazhe te punonjësit e gjithë jugut. As mos e provoni”, u shpreh ai.
Berisha e cilësoi organizimin e kundërmanifestimeve si një praktikë “fashiste dhe staliniste”, ndërsa akuzoi qeverinë për mungesë transparence në vendimmarrje.
“Gjithçka është terri dhe mungesa totale e transparencës”, tha lideri i opozitës gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Ndërkohë, Berisha bëri të ditur se në rrjetet sociale ka publikuar mesazhe që, sipas tij, u janë dërguar punonjësve të administratës për pjesëmarrje në aktivitetin e paralajmëruar në Vlorë.
