Kapri: Rama i trembet drejtësisë, po u dërgon sinjal SPAK-ut dhe Kushtetueses

Data

Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor skenën politike për t’i dërguar mesazhe të drejtpërdrejta drejtësisë, duke tentuar të krijojë idenë e mbështetjes ndërkombëtare për të shmangur hetimet penale.

Në një deklaratë për mediat, Kapri u shpreh se pas retorikës së ashpër dhe sulmeve publike, shqetësimi real i Ramës është presioni që vjen nga SPAK dhe Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, kryeministri po përpiqet të bindë institucionet e drejtësisë që të mos guxojnë të hapin çështje të reja ndaj tij apo bashkëpunëtorëve të afërt.

Kapri u ndal veçanërisht te situata e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se ajo ndodhet në një pozitë të rënduar ligjore, por ende nuk ka dhënë dorëheqjen. Ai shtoi se ka shqetësime serioze për presion ndaj dëshmitarëve dhe ndërhyrje në procesin hetimor.

Sipas deputetit, sjellja e qeverisë tregon qartë se interesi privat i investitorëve po vihet mbi interesin publik dhe shtetëror, ndërsa përgjegjësia politike po shmanget qëllimisht.

“Hallin më të madh Rama e ka me drejtësinë. Ai po mundohet t’i dërgojë mesazh SPAK-ut dhe Kushtetueses se është i paprekshëm. Por shumica e shqiptarëve duan ndëshkim për korrupsionin dhe kjo betejë do të vazhdojë, edhe përmes protestave”, u shpreh Kapri.

Ai theksoi se rasti Balluku është vetëm një paralajmërim dhe se, sipas tij, askush nuk mund t’i shpëtojë llogaridhënies përballë ligjit, pavarësisht përpjekjeve për ta zvarritur procesin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related