Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ngriti sot shqetësimin e thellë për situatën e rendit në vend, duke deklaruar nga foltorja e Kuvendit se Shqipëria po përballet me një valë të rrezikshme atentatesh mafioze, ndërsa institucionet përgjegjëse — sipas tij — heshtin.
Kapri theksoi se vetëm brenda 30 ditëve kanë ndodhur katër atentate të rënda, përfshirë dhe atë në Rinas, një nga zonat që duhet të jetë më e sigurta në vend. Sipas tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, nuk ka dhënë dorëheqjen dhe nuk jep asnjë shpjegim publik për situatën.
Ai akuzoi po ashtu ministren e Brendshme për mungesë reagimi dhe mungesë guximi për të kërkuar llogari te kreu i Policisë së Shtetit.
“Shteti ka rënë” – deklaroi Kapri
“Vetëm në 30 ditë kemi 4 vrasje mafioze dhe nuk e kuptoj se si ministria flet për siguri. Krimi i organizuar vepron lirshëm, edhe në zonën ku kalon kryeministri. Drejtori i Përgjithshëm refuzon dorëheqjen, ministrja nuk reagon, nuk shpjegon. Shteti ka rënë.”
Ai shtoi se situata është e paprecedentë, pasi drejtori i policisë — sipas tij — “nuk i jep llogari askujt”.
Kapri: Siguria në shkolla nuk ekziston
Deputeti u ndal edhe te ngjarja e rëndë e ndodhur në një shkollë të Durrësit, ku disa nxënës u plagosën pas një përleshjeje:
“Askush nuk flet, askush nuk shpjegon. Prindërit kanë frikë të hapin televizorin se mos marrin vesh se fëmijës së tyre i ka ndodhur diçka. Siguria në shkolla nuk ekziston.”
Kapri përmendi edhe atentatin me snajper ndaj një biznesmeni dhe ngjarjet e tjera të fundit që, sipas tij, tregojnë degradimin e rendit publik.
“Nuk ka përgjegjësi, bandat bëjnë ligjin”
Në përfundim, ai akuzoi mazhorancën se po toleron krimin dhe se askush nuk mban përgjegjësi:
“Krerët e bandave bëjnë ligjin në Shqipëri. Sa kohë që kemi Ramën kryeministër nuk do të ketë zgjidhje. Zgjidhja vjen vetëm me votë.”
