Komisioni Evropian ka reaguar publikisht për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit me qëllim hapjen e rrugës për arrestimin e saj. Brukseli thekson qartë se Kuvendi i Shqipërisë duhet të veprojë pa vonesë dhe të trajtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke shmangur çdo ndërhyrje politike.
Në reagimin e tij, Komisioni Evropian nënvizon se lufta kundër korrupsionit është thelbësore për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe përbën një pritshmëri të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë. Sipas KE-së, çdo përpjekje për të zvarritur apo bllokuar procedurat ligjore dëmton seriozisht besimin te reforma në drejtësi.
Brukseli shpreh shqetësim për përpjekjet e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve për të ushtruar presion mbi sistemin gjyqësor, duke rikujtuar se këto ndërhyrje janë evidentuar edhe në raportin e Shqipërisë për vitin 2025. Në këtë raport, Komisioni ka rekomanduar forcimin e llogaridhënies dhe reduktimin e ndërhyrjeve politike në drejtësi dhe prokurori.
Reagimi vjen në një moment të tensionuar institucional, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e Ballukut nga detyra, ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nisma ligjore për të mbrojtur anëtarët e kabinetit nga masa të tilla.
Komisioni Evropian konfirmon se do të vijojë monitorimin e situatës dhe se çështja do të jetë pjesë e diskutimeve në takimet e ardhshme mes institucioneve të BE-së dhe autoriteteve shqiptare, duke e bërë të qartë se çdo devijim nga sundimi i ligjit ka kosto për rrugën evropiane të vendit.
