Me synimin për ta kthyer Shqipërinë në eksportuese të energjisë elektrike, qeveria ka dhënë dhjetëra licenca për ndërtimin e parqeve fotovoltaike në të gjithë vendin. Por ky zhvillim i shpejtë po shoqërohet me pasoja serioze për komunitetet lokale dhe mjedisin, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se tranzicioni energjetik po kthehet në një paradoks.
Në fshatin Boçovë të Fierit, vetëm pak kilometra larg grykëderdhjes së Semanit, banorët u përballën papritur me makineri të rënda që nisën gërmimet pranë tokave bujqësore. Fillimisht u përfol se po hapej një rrugë, por më pas banorët mësuan se në zonë ishte miratuar ndërtimi i një centrali fotovoltaik dhe se tokat që ata kishin përdorur prej dekadash nuk konsideroheshin më të tyret.
Centrali fotovoltaik i Boçovës, miratuar nga qeveria në qershor të vitit 2025, është një nga projektet më të mëdha të energjisë diellore në vend. Projekti pritet të shtrihet në rreth 50 hektarë tokë, me një fuqi të instaluar prej 82 MW dhe vlerë investimi rreth 80 milionë euro, për një periudhë shfrytëzimi 49-vjeçare.
Leja i është dhënë kompanisë Albania Solar Power, por banorët pretendojnë se pas projektit fshihet biznesmeni Pëllumb Salillari. Sipas tyre, punimet në terren kryhen nga një kompani e lidhur me të dhe tokat janë përvetësuar në rrethana të paqarta, duke u ndryshuar statusi nga tokë bujqësore në “tokë pa frut”.
Banorët thonë se kanë përfituar tokat në fillim të viteve ’90 mbi bazën e ligjit 7501, por nuk kanë arritur kurrë t’i regjistrojnë në Kadastër, pavarësisht se për to kanë paguar taksa për gati tre dekada. Sot, ata po përballen me humbjen e burimit kryesor të jetesës, bujqësinë dhe blegtorinë.
Konflikti në Boçovë nuk është rast i izoluar. Që nga viti 2018, qeveria ka dhënë dhjetëra leje për parqe fotovoltaike, veçanërisht në qarkun e Fierit, ku ndodhet rreth 70% e kapaciteteve të licencuara. Shumë prej këtyre projekteve janë ndërtuar në kullota tradicionale, pranë zonave të mbrojtura ose korridoreve natyrore të shpendëve.
Ekspertët paralajmërojnë se shumica e energjisë së prodhuar nga këto parqe nuk parashikohet të përdoret për konsum të brendshëm, por për eksport. Sipas tyre, Shqipëria rrezikon të eksportojë energji të pastër dhe të importojë energji fosile, duke e kthyer tranzicionin energjetik në një model të paqëndrueshëm.
Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e vlerësimeve strategjike mjedisore dhe përjashtimin e komuniteteve lokale nga procesi i vendimmarrjes. Vlerësimet mjedisore, sipas specialistëve, bëhen për çdo park individualisht, pa marrë parasysh efektin kumulativ të disa projekteve të përqendruara në të njëjtën zonë.
Në fshatra si Darzezë, banorët shprehen të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura për investime në infrastrukturë dhe shërbime publike. Ndërkohë, bashkitë vendore thonë se nuk kanë kompetenca për licencimin e këtyre projekteve, duke ia kaluar përgjegjësinë qeverisë qendrore.
Ekspertët e energjisë dhe mjedisit theksojnë se problemi nuk është energjia diellore në vetvete, por mungesa e një harte kombëtare dhe e një strategjie të qartë që përcakton se ku duhet dhe ku nuk duhet të ndërtohen parqe fotovoltaike. Pa një planifikim të tillë, rrezikohet jo vetëm mjedisi dhe jetesa e komuniteteve lokale, por edhe siguria energjetike afatgjatë e vendit.
