PD: Rinovimi i Vilës 31 kushtoi 1.2 milionë euro nga fondet publike, Rama duhet të sqarojë financimin

Data

Partia Demokratike ka ngritur akuza për mënyrën e financimit të rikonstruksionit të Vilës 31 në Tiranë, duke kërkuar transparencë mbi përdorimin e fondeve publike.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, tha se rinovimi i kësaj godine ka kushtuar rreth 1.2 milionë euro, të cilat sipas saj janë paguar nga taksapaguesit shqiptarë.

Ajo kujtoi se në janar 2025, kryeministri Edi Rama prezantoi hapjen e rezidencës artistike “Vila 31 x Art Explora”, duke deklaruar se rinovimi ishte realizuar nga një studio arkitekturore ndërkombëtare.

Sipas Vangjelit, në njoftimet publike të projektit thuhet se ndërtesa është restauruar me mbështetjen e fondacionit francez Art Explora, ndërsa projekti arkitekturor i atribuohet studios NeM Architects.

Megjithatë, sipas dokumenteve që paraqiti PD, më herët janë prokuruar 1.2 milionë euro nga fondet publike për rikonstruksionin e Vilës 31 përmes Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.

Në deklaratë thuhet se kompania “Valona Konstruksion shpk” është shpallur fituese e tenderit dhe ka lidhur kontratë me institucionin më 21 korrik 2023, me një afat realizimi prej 12 muajsh për rikonstruksionin e objektit.

Sipas PD-së, këto të dhëna krijojnë dyshime për mënyrën se si janë përdorur fondet publike dhe kërkojnë sqarim nga qeveria.

Partia Demokratike i kërkon kryeministrit të shpjegojë publikisht se çfarë punimesh janë realizuar nga kompania fituese e tenderit dhe ku kanë përfunduar 1.2 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Transparenca për fondet publike nuk është çështje propagande, por detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve,” theksohet në reagimin e zëdhënëses së PD-së.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related