“‘Kanë bashkuar forcat për një ndryshim në parti’: Lëvizja Salianji–Alimehmeti trazon ujërat në PD, analistët ndarë për vizionin e tyre”

Data

Pas humbjeve të njëpasnjëshme dhe krizës së zgjatur të Partisë Demokratike, ish-deputeti Ervin Salianji dhe mjeku Ilir Alimehmeti kanë bashkuar forcat në një nisje të re politike që synon “ringritjen” dhe “rizgjimin” e partisë më të madhe opozitare në vend. Dyshja ka nisur një tur takimesh me strukturat e PD-së, lëvizje që, sipas analistëve, shënon një zhvillim të shëndetshëm për debatin e brendshëm, por që ende mbetet pa një vizion të qartë.

Salianji dhe Alimehmeti zhvilluan së fundmi një takim me demokratët e Durrësit, ku u artikuluan hapur pakënaqësitë e anëtarësisë dhe mungesa e dëgjimit nga drejtuesit aktualë të partisë. Në fjalën e tij, Salianji u shpreh se demokratët janë të lodhur nga humbjet zgjedhore dhe mungesa e analizës së sinqertë.

“E ndjej plagën tuaj dhe të çdo demokrati. Humbjet, manipulimet dhe listat e mbyllura na kanë gërryer shpirtin,” tha Salianji, duke theksuar se baza ka nevojë të dëgjohet dhe të përfshihet realisht në vendimmarrje.

Berisha kundër: ‘Axhendë personale’ dhe paralajmërim për llogaridhënie

Reagimi nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk vonoi. Ai akuzoi Salianjin për “axhendë personale” dhe akuzoi disa nga pjesëmarrësit e takimit të Durrësit se kanë punuar për Partinë Socialiste në zgjedhjen e 11 majit.

“Aty ishin një grup të pakënaqurish. Kishte edhe nga ata që punuan për PS dhe kanë frikë se do t’u dalë,” u shpreh Berisha.

“Llogaridhënia do të bëhet. Ka individë që kanë ikur nëpër pushime gjatë fushatës, jo në punë për PD-në.”

Këto deklarata kanë tensionuar më tej situatën në një parti që prej vitit 2021 ka kaluar një nga krizat më të gjata dhe më të thella të viteve të tranzicionit.

Kush është Ervin Salianji dhe ku mbështetet lëvizja e tij?

Salianji, i zgjedhur deputet në vitin 2017, humbi mandatin në vitin 2024 pasi u dënua me 1 vit burg për veprën penale të “kallëzimit të rremë”. Ai dhe PD e konsideruan procesin gjyqësor të motivuar politikisht. Sot, Salianji po mbledh rreth vetes demokratë të pakënaqur, si dhe figura të reja si Ilir Alimehmeti – një nga më të votuarit në Tiranë, i cili nuk arriti të hyjë në parlament për shkak të rezultatit të dobët të partisë.

Lëvizja e tyre është parë nga shumë anëtarë të PD-së si një sinjal për ndryshim në drejtimin e partisë.

Analistët: Shëndet për demokracinë e brendshme, por pa vizion

Ekspertët e politikës janë të ndarë mbi domethënien e kësaj nisme.

Politologu Ermal Hasimja e cilëson lëvizjen si “shenjë pakënaqësie dhe mundësi rivaliteti të shëndetshëm”, duke theksuar se sfida e brendshme është më e dobishme sesa status quo-ja.

“Rreziku i PD-së është mosndryshimi. Pretendetët për kreun e partisë sjellin jetë. Kjo mund të krijojë një spirale të shëndetshme përballjeje politike brenda PD-së,” tha Hasimja.

Ndërkohë, analisti Neritan Sejamini është më kritik. Sipas tij, PD po bie në të njëjtin gabim të përsëritur: një qasje të brendshme që flirton vetëm me militantët, duke harruar publikun e gjerë.

“Problemi kryesor është besueshmëria publike. Takimet mes militantëve nuk sjellin vizion. Ata që sfidojnë Berishën duhet të kenë një projekt për Shqipërinë, jo vetëm për PD-në,” u shpreh Sejamini.

Sfondi i krizës: Nga ‘Foltorja’ te përplasjet fizike

PD vazhdon të përballet me pasojat e ndarjes së thellë mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Konflikti nisi në vitin 2021, kur Basha përjashtoi Berishën pasi ai u shpall “non grata” nga SHBA. Përplasjet degjeneruan deri në dhunë fizike për marrjen e selisë së PD-së dhe çuan në krijimin e strukturave paralelë.

Edhe pse Berisha riktheu kontrollin e partisë, ai nuk arriti ta ringjallë elektoratin opozitar, ndërsa sot përballet me çështje të hapura penale për korrupsion në dosjen “Partizani”.

Në këtë klimë të brishtë, lëvizja Salianji–Alimehmeti shfaqet si sfida e re, por ende e paqartë në drejtim, vizion dhe forcë politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related