Avokati i kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ndaj spekulimeve për një ndarje të mundshme me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.
I ftuar në një studio televizive, Kujtim Cakrani hodhi poshtë pretendimet se divorci mund të jetë një skemë e inskenuar, duke e cilësuar gjithë debatin si një “iluzion të ngritur nga mediat”.
Sipas tij, fakti që Meta dhe Kryemadhi kanë kaluar 34 vite së bashku dhe kanë tre fëmijë, tregon se nuk ka arsye për interpretime të tilla, ndërsa theksoi se çështja është e mbyllur për të dy.
Deklarata vjen në një moment të ndjeshëm, pasi GJKKO ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes ndaj Metës dhe Kryemadhit.
Ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa në këtë proces janë të përfshirë edhe emra të tjerë si Pirro Xhixho, Ema Çokut dhe Fatime Kryemadhi.
Çështja pritet të jetë një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore në vend, ndërsa zhvillimet e saj vijojnë të mbahen në vëmendje të lartë publike dhe politike.
