Gazetari Klodian Tomorri ka reaguar me tone ironike ndaj mbledhjes së zhvilluar nga kryeministri Edi Rama me tregtarët e karburanteve, duke kritikuar mënyrën se si po trajtohet rritja e çmimit të naftës në vend.
Sipas tij, në këtë takim, ku morën pjesë ministra, përfaqësues të tatimeve, doganave dhe aktorë të tregut, synimi ishte gjetja e një zgjidhjeje për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve tek qytetarët.
Megjithatë, Tomorri thekson se rezultati i mbledhjes ishte vendosja e dy taksave të reja mbi karburantin: një për gjurmimin dhe një tjetër për krijimin e rezervave strategjike, kjo e fundit me një kosto që përllogaritet mbi 300 milionë euro.
Në reagimin e tij, gazetari e cilëson këtë qasje si paradoksale, duke ironizuar faktin se ndërkohë që synohet ulja e çmimit të naftës, vendosen masa që në praktikë e rrisin barrën fiskale.
Ai e konsideron situatën si të paprecedentë, duke theksuar se është hera e parë që për të përballuar shtrenjtimin e karburanteve propozohet shtimi i taksave.
Debati për çmimin e naftës dhe politikat fiskale është intensifikuar ditët e fundit, ndërsa përplasjet mes qeverisë dhe kritikëve vijojnë të thellohen në një kohë kur qytetarët përballen me kosto gjithnjë e më të larta jetese.
