Kancelari austriak Karl Nehammer thotë se do të japë dorëheqjen në ditët në vijim pasi bisedimet për formimin e qeverisë së re dështuan.
Sipas tij negociatat për koalicion mes partisë që drejton, Partia Popullore e Austrisë (OVP) dhe asaj Social Demokrate të Austrisë (SPO) përfundimisht kanë dështuar.
“Unë do të largohem si kancelar dhe si udhëheqës i Partisë Popullore (konservatore) në ditët në vijim dhe do të mundësoj një tranzicion të rregullt,” tha Nehammer në një video mesazh në X
“Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet deri më tani, por një marrëveshje për çështjet kryesore nuk ishte e mundur. Në rrethana të tilla, nuk ka kuptim të vazhdohet për hir të së ardhmes pozitive të Austrisë”, tha Nehammer.
Nga ana e SPO-së thonë se i kanë zgjatur dorën e bashkëpunimit deri në momentin e fundit, por se OVP-ja nuk ka treguar gatishmëri për kompromis. Pikat kryesore të mosmarrëveshjes lidheshin me ribalancimin e buxhetit, me insistimin e SPO për taksat e pronës dhe trashëgimisë, të cilat OVP-ja i hodhi poshtë kategorikisht.
Presidenti austriak Alexander Van der Bellen, një ish-udhëheqës i të Gjelbërve, i ngarkoi Nehammer-it të formonte një qeveri. Tani që Nehammer po largohet, dy opsionet më të mundshme janë ose që euroskeptiku Herbert Kickl të ngarkohet me formimin e një qeverie ose të thirren zgjedhje të parakohshme.
