Sistemi i drejtësisë në Shqipëri duket se po përballet me një fenomen shqetësues, ku ish-komisionerët e vetingut, të cilët dikur vendosnin për fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, po shpërblehen sot me poste strategjike nga mazhoranca socialiste (Partia Socialiste). Ky proces, i ndërtuar me kujdes, tregon se politika (PS) po përdor institucionet e drejtësisë për të konsoliduar kontrollin e saj dhe për të mbrojtur interesat klienteliste. Kështu Genta Bungo, e njohur për vendimet e kontestuara të vetingut, është gati të emërohet në Gjykatën Kushtetuese, me mbështetjen e hapur të Partisë Socialiste. Ndërsa Valbona Sanxhaktari, dikur figura kryesore e shkarkimeve masive të gjyqtarëve pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), tani mban postin e drejtoreshës juridike në Kryeministri dhe pritet të kthehet në Gjykatën e Lartë.
Më tej thuhet se Pamela Qirko, motra e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe ish-anëtare e KPK-së, po përgatitet për emërim në Gjykatën Kushtetuese, duke e shndërruar familjen Balluku në një “dinasti drejtësie”. Po kështu, gjyqtarja Iliba Bezati, kunata e Pamela Qirkos, disa muaj më parë është zgjedhur nënkryetare e Gjykatës së Apelit për Juridiksion të Përgjithshëm. Sakaq, edhe Olis Komici, një tjetër ish-komisioner i vetingut, pasi u emërua për ca kohë drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe më pas u kandidua për deputet nën siglën e PS në Qarkun e Elbasanit, ku dhe fitoi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Por e gjithë kjo skemë apo panoramë, tregon se mazhoranca po përdor këto lëvizje për të konsoliduar kontrollin politik mbi drejtësinë, duke e kthyer vetingun në një rrjet klientelist. Çdo emërim duket i planifikuar për të siguruar që ndikimi mbi gjyqtarët dhe prokurorët të mbetet i pacenuar. Pra skema e riciklimit të ish-komisionerëve të vetingut në poste kyçe tregon qartë një strategji të mirëmenduar për të mbrojtur interesat politike. Nga ana tjetër qytetarët shqiptarë po e ndjekin me shqetësim këtë “transfer drejtësie” nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), në institucionet më të larta, ndërkohë që pavarësia e gjyqësorit kërcënohet hapur. Kështu që e gjithë kjo, tregon se pazaret e mazhorancës, të cilat dikur ishin thashetheme të ndaluara, sot janë bërë realitet i pamohueshëm, teksa çdo emërim tregon sesi politika përdor institucionet e drejtësisë për të forcuar pushtetin e saj, duke katapultuar në poste kyçe, ata që kaluan gjyqtarët dhe prokurorët me probleme gjatë procesit të vetigut. Më poshtë po pasqyrojmë një investigim që zbulon një skandal, ku protagoniste është znj. Bungo.
