Komiteti Shqiptar i Helsinkit zbardh detaje të reja për incidentin në Zvërnec: “Major Security” nuk kishte kontratë me investitorët

Data

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar rezultatet e monitorimit të protestës së zhvilluar më 30 maj 2026 në Zvërnec, duke nxjerrë në pah disa elementë shqetësues mbi përshkallëzimin e situatës dhe rolin e personave civilë të përfshirë në incident.

Sipas raportit të KShH-së, protesta ishte njoftuar paraprakisht dhe kishte nisur në mënyrë paqësore, ndërsa policia kishte hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë. Situata ndryshoi në momentin kur një protestues u kap dhe u tërhoq me forcë brenda rrethimit të kantierit nga persona civilë, të cilët, sipas verifikimeve, nuk ishin pjesë e kompanisë së sigurisë private të kontraktuar nga investitorët.

Një nga gjetjet më të rëndësishme të raportit lidhet me kompaninë “Major Security”. KShH bën të ditur se personat që ushtruan forcë ndaj protestuesve kanë deklaruar në polici se janë punonjës të kësaj kompanie, por se “Major Security” nuk kishte asnjë kontratë me investitorin e projektit në Zvërnec.

Raporti evidenton gjithashtu përdorimin e spray-it piper dhe hedhjen e gurëve ndaj protestuesve nga persona civilë. Sipas monitorimit, efektet e spray-it kanë prekur jo vetëm protestuesit, por edhe efektivë të Policisë së Shtetit të pranishëm në vendngjarje.

KShH shpreh shqetësim edhe për faktin se autorët e dyshuar të dhunës nuk u ndaluan menjëherë, megjithëse ngjarja ndodhi në prani të forcave policore dhe u dokumentua gjerësisht me pamje filmike. Sipas organizatës, arrestimi i personit të dyshuar për heqje të paligjshme të lirisë dhe dhunim u krye vetëm disa orë më vonë.

Në reagimin e saj, organizata kërkon nga organet ligjzbatuese hetim të plotë për:

  • Heqjen e paligjshme të lirisë së protestuesit dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë;
  • Ligjshmërinë e përdorimit të spray-it piper nga persona civilë;
  • Statusin juridik dhe autoritetin e individëve të përfshirë në incident;
  • Përgjegjësitë institucionale për mosndërhyrjen e menjëhershme ndaj veprimeve të kundërligjshme.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se e drejta për protestë paqësore është një e drejtë kushtetuese që duhet të garantohet në çdo rast dhe se çdo akt dhune ndaj qytetarëve kërkon hetim të pavarur, të paanshëm dhe transparent.

Organizata njofton se do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet dhe ecurinë e hetimeve lidhur me këtë ngjarje, e cila ka ngjallur debat të gjerë publik për mënyrën e menaxhimit të protestave dhe sigurinë e qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related