Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka cilësuar vdekjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, si “një moment përcaktues në historinë e Iranit”.
Në një reagim në platformën X, Kallas tha se e ardhmja mbetet e pasigurt, por theksoi se tashmë ekziston “një rrugë e hapur drejt një Irani tjetër”, ku populli mund të ketë më shumë liri për të formësuar të ardhmen e vet.
Ajo shtoi se është në kontakt me partnerët ndërkombëtarë dhe vendet e rajonit për të gjetur hapa praktikë për uljen e tensioneve dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm.
Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet me Jordaninë pas sulmeve iraniane, duke theksuar se ky moment sjell njëkohësisht shpresë dhe rrezik për paqëndrueshmëri në rajon.
Zhvillimet në Lindjen e Mesme vijojnë të monitorohen nga afër nga institucionet evropiane.
