Gazetari Klevin Muka deklaroi se protesta qytetare ka një pjesëmarrje të konsiderueshme dhe se, sipas tij, përpjekjet për të minimizuar masivitetin e saj nuk përputhen me atë që qytetarët shohin në terren.
I ftuar në një emision televiziv, Muka iu përgjigj deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, lidhur me incidentet ndaj efektivëve të policisë, duke kujtuar ngjarjet e protestës së 21 janarit 2011.
Sipas gazetarit, përfaqësues të mazhorancës nuk mund të flasin për legjitimitet moral lidhur me protestat, duke iu referuar qëndrimeve të tyre në të kaluarën.
“Personat që sot bëjnë thirrje të mos goditet policia, vite më parë kanë mbajtur vetë qëndrime të ashpra ndaj efektivëve. Nuk mund të flasësh për legjitimitet moral kur ke pasur të njëjtën sjellje në të kaluarën,” u shpreh Muka.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, është ulur besueshmëria e përfaqësuesve të qeverisë dhe se ka përpjekje për të ndikuar në perceptimin publik mbi pjesëmarrjen në protestë.
“Qytetarët e shohin vetë sa njerëz marrin pjesë në marshim. Protesta ka masivitet të madh dhe nuk mund t’u hedhësh hi sy njerëzve kur informacioni dhe pamjet janë të aksesueshme nga të gjithë,” deklaroi gazetari.
Muka kritikoi gjithashtu mënyrën e komunikimit të zyrtarëve me publikun, duke pretenduar se ata shmangin përballjen me qytetarët dhe reagimet në rrjetet sociale.
“Kur je përfaqësues i qytetarëve, duhet të jesh i gatshëm të përballesh me ta dhe të dëgjosh shqetësimet e tyre,” përfundoi ai.
