“Ka ardhur koha!” Shehaj thirrje opozitës: Bëjeni publike dosjen e Ballukut, s’mund të presim më

Data

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka dalë me një thirrje të fortë drejtuar deputetëve të opozitës që janë anëtarë të Këshillit të Mandateve, duke kërkuar publikimin e menjëhershëm të dosjes që rëndon ndaj Belinda Ballukut.

Sipas Shehajt, deputetët disponojnë një dosje voluminoze prej rreth 16 mijë faqesh dhe kanë detyrimin moral t’ia bëjnë atë të ditur publikut. Ai thekson se transparenca është jetike dhe se qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën, edhe nëse kjo kërkon tejkalimin e kufijve formalë ligjorë.

“Ka ardhur koha që dosja të bëhet publike. Nuk mund të presim më. Deputetët duhet ta bëjnë publike dosjen, edhe nëse kjo do të thotë të shkelin ligjin, sepse interesi i qytetarëve është mbi gjithçka,” shprehet Shehaj.

Ai shprehet skeptik ndaj çdo pritshmërie se kryeministri Edi Rama do të lejojë ndonjë veprim penal ndaj Ballukut, duke e cilësuar këtë si një iluzion politik.

“Nuk mund të presim që Rama të lejojë arrestimin e Ballukut. Kjo nuk do të ndodhë kurrë,” thekson Shehaj, duke shtuar se presioni publik është i vetmi mekanizëm që mund të çojë në zbardhjen e së vërtetës.

Në përfundim, kreu i Partisë Mundësia i bën thirrje opozitës që të mos mbetet peng i procedurave dhe zvarritjeve, por të veprojë hapur dhe drejtpërdrejt në emër të interesit publik, duke e kthyer dosjen në çështje transparence kombëtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related