Probleme të reja me e-Albania, bizneset bllokohen në verifikimin e detyrimeve të taksave vendore pas kalimit të platformës në versionin e ri

Data

Bizneset shqiptare janë përballur sërish me probleme në funksionimin e platformës  e-Albania, duke hasur vështirësi në verifikimin dhe pagesën e detyrimeve për taksat vendore.

Sipas shqetësimeve të ngritura nga bizneset dhe kontabilistët, gjatë orëve të para të mëngjesit nuk ka qenë i aksesueshëm shërbimi për marrjen e njoftimit të detyrimeve vendore, duke penguar kryerjen e procedurave administrative dhe financiare brenda afateve ligjore.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore kanë bërë të ditur se problematika lidhet me procesin e migrimit të platformës në versionin e ri teknologjik. Sipas tyre, vështirësi të ngjashme janë shfaqur edhe në institucione të tjera që ofrojnë shërbime përmes portalit qeveritar.

“Pas kalimit të e-Albania në variantin e ri, jo vetëm ne, por edhe disa drejtori të tjera kanë pasur probleme me shërbimet që ofrojnë në platformë. Aktualisht po punohet për rikthimin e shërbimit të marrjes së njoftimit të detyrimeve, ndërsa shërbimi i marrjes së vërtetimit funksionon normalisht”, kanë sqaruar burimet zyrtare.

Për të shmangur vonesat, administrata vendore ka ofruar një zgjidhje të përkohshme për subjektet që kanë nevojë urgjente për dokumentacion. Bizneset mund të paraqesin kërkesat e tyre përmes postës elektronike dhe njoftimet mbi detyrimet do t’u dërgohen direkt nga administrata përkatëse.

Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë për rikthimin e plotë të funksionalitetit të shërbimit gjatë ditës së sotme. Problemet në portal janë raportuar edhe gjatë ditëve të fundit pas implementimit të ndryshimeve teknologjike në sistem.

Shumë subjekte private kanë shprehur pakënaqësi për ndërprerjet dhe vonesat e herëpashershme, duke kërkuar normalizimin sa më të shpejtë të situatës. Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit ka deklaruar vazhdimisht se sistemi mbetet funksional dhe se po merren masa për eliminimin e problematikave teknike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related