Deputetja e Partia Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër mazhorancën gjatë debatit parlamentar mbi raportin e integrimit europian, duke deklaruar se qeveria ka paraqitur “50 faqe ligje dhe VKM”, por jo një raport real mbi ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së saj në seancë plenare, Tabaku kërkoi praninë e kryeministrit Edi Rama dhe të kryenegociatores së procesit të integrimit, duke argumentuar se debati nuk mund të zhvillohet në mënyrë të plotë pa përgjegjësit kryesorë të procesit.
“Zoti kryetar, jeni dëshmitar që për herë të parë në këtë legjislaturë po raportohet për integrimin. Kemi kërkuar që ky proces të jetë i hapur dhe kjo nuk ka ndodhur. Debati nuk mund të jetë i plotë nëse Rama dhe kryenegociatorja nuk janë këtu,” deklaroi ajo.
Tabaku u shpreh se integrimi europian nuk matet vetëm me miratimin e ligjeve apo vendimeve administrative, por me standardet reale të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe funksionimit të institucioneve.
“Për herë të parë, pasi kemi vite që lexojmë raporte, qeveria ka sjellë vetëm ligje. 50 faqe ligje e VKM. Nuk është ky procesi i integrimit,” tha deputetja demokrate.
Sipas saj, problematikat kryesore që po ndikojnë negativisht në raportet me Bashkimin Europian lidhen me vendimmarrje politike të qeverisë dhe me mënyrën se si trajtohen çështjet e drejtësisë dhe korrupsionit.
Ajo përmendi konkretisht ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Reformën në Drejtësi dhe mbrojtjen politike që, sipas saj, mazhoranca i ka bërë Belinda Balluku.
“Është reforma, vendimet politike të qeverisë, ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, mbrojtja politike që i bëtë Ballukut dhe Reforma në Drejtësi,” u shpreh Tabaku.
Në përfundim, ajo theksoi se opozita mund të japë vetëm mbështetje politike për integrimin, por përgjegjësia kryesore për përmbushjen e kushteve dhe avancimin e negociatave mbetet tek qeveria.
“Opozita mund të shprehë vetëm vullnet politik, por rolin e qeverisë nuk e bëjmë dot,” përfundoi deputetja e PD-së.
