“E bëra për vetëmbrojtje”/ Polici që vrau 28-vjeçarin në Milano dëshmon në prokurori

Data

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë pas vrasjes së një 28-vjeçari gjatë një operacioni policor në Milano. Oficeri i policisë që qëlloi për vdekje Abderraim Mansourin ka dhënë dëshminë e tij në prokurori, duke pretenduar se veproi në kushtet e vetëmbrojtjes.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 26 janarit në zonën e Rogoredos, e njohur për aktivitet të lartë kriminal dhe trafik droge. Sipas deklarimeve të policit, ai dhe një koleg po kryenin kontrolle kundër narkotikëve kur ndaluan 28-vjeçarin, i cili dyshohej se mbante lëndë narkotike.

Oficeri ka deklaruar se i ka kërkuar Mansourit të ndalonte, por ky i fundit iu afrua me shpejtësi dhe nxori një armë, duke e drejtuar nga polici. I ndjerë i kërcënuar për jetën, efektivi ka qëlluar një herë, duke e goditur në ballë. Më vonë rezultoi se arma ishte një replikë shumë e ngjashme me një armë të vërtetë, por pa fishekë.

Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por për 28-vjeçarin nuk mund të bëhej asgjë. Ai u shpall i vdekur në vend.

Prokuroria e Milanos ka nisur hetim për vrasje me dashje, ndërsa oficeri po hetohet në gjendje të lirë. Avokati i tij ka theksuar se, sipas tij, rasti përmbush plotësisht kriteret e vetëmbrojtjes, duke deklaruar se “nëse kjo nuk quhet vetëmbrojtje, atëherë ky parim nuk zbatohet më kurrë”.

Hetimet po përqendrohen në analizën balistike, autopsinë e viktimës dhe rindërtimin e saktë të dinamikës së ngjarjes. Një element që ka ngritur pikëpyetje është fakti se asnjë nga oficerët nuk kishte kamera trupi, çka e bën më të vështirë verifikimin objektiv të versioneve.

Sipas autoriteteve italiane, Mansouri kishte precedentë penalë për trafik droge dhe dyshohet se ishte pjesë e një grupi kriminal aktiv në Milano. Ai nuk kishte leje qëndrimi në Itali.

Ngjarja ka hapur debat të fortë edhe në politikë. Kreu i Lidhjes, Matteo Salvini, ka shprehur mbështetje të plotë për policinë, duke deklaruar se qëndron pa kushte në krah të forcave të rendit. Ndërsa ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, ka kërkuar hetim të plotë dhe të paanshëm, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin.

Rasti pritet të ketë zhvillime të tjera dhe po shihet si një test i rëndësishëm për kufijtë e përdorimit të forcës nga policia dhe zbatimin e parimit të vetëmbrojtjes në Itali.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related