“Jo politikës që jeton nga zënkat”, pesë partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut bashkohen në një subjekt të vetëm politik

Data

Pesë parti politike shqiptare në Maqedonia e Veriut, pjesë e koalicionit qeveritar VLEN, janë bashkuar zyrtarisht në një subjekt të vetëm politik.

Në kongresin themelues të mbajtur në Shkup, u vendos që partia e re të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, një model që aplikohet për herë të parë në politikën pluraliste shqiptare në vend.

Drejtuesit e rinj deklaruan se VLEN synon të krijojë një kulturë të re politike, ku vendimmarrja nuk do të varet nga një lider i vetëm, por nga një ekip drejtues.

Mexhiti u shpreh se modeli i ri është i frymëzuar nga praktikat evropiane dhe synon të shmangë përqendrimin e pushtetit te individi.

“VLEN po sjell një frymë të re demokratike. Fuqia nuk është e përqendruar te një individ, por te e gjithë udhëheqësia e partisë”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, Kasami theksoi se shqiptarët kanë nevojë për një politikë që ndërton dhe planifikon përtej interesave afatshkurtra.

“Shqiptarët nuk kanë nevojë për politikë që jeton nga zënkat. Kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat”, tha Kasami.

Në kongres ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e cilësoi bashkimin e pesë subjekteve si një zhvillim me rëndësi të veçantë politike dhe shoqërore për shqiptarët në rajon.

“Është më e rrallë dhe domethënëse kur disa subjekte arrijnë pjekurinë për t’u bashkuar në një trup të vetëm politik”, deklaroi Kurti.

Gjatë kongresit u zgjodhën gjithashtu nënkryetarët e partisë, Bekim Çoku dhe Mimoza Musa, ndërsa sekretar i përgjithshëm u emërua Bekim Sali.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related