Europa hap rrugën për karburantin amerikan në avionë, por Agjencia Europiane për Sigurinë Ajrore paralajmëron për rreziqe serioze gjatë fluturimeve

Data

Komisioni Europian ka miratuar përdorimin e karburantit amerikan të aviacionit “Jet A” për avionët në Europë, si masë për të përballuar mungesën globale të vajgurit të shkaktuar nga tensionet në Gjirin Persik dhe bllokimi i furnizimeve përmes Ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, Agjencia Europiane për Sigurinë Ajrore ka ngritur shqetësime serioze mbi përdorimin e këtij karburanti, duke paralajmëruar kompanitë ajrore se përdorimi i tij kërkon kontroll të rreptë teknik dhe informacion të saktë operacional.

Sipas EASA-s, problemi kryesor lidhet me pikën e ngrirjes së karburantit. Ndryshe nga “Jet A-1”, që përdoret zakonisht në Europë dhe ngrin në -47°C, karburanti amerikan “Jet A” ngrin në -40°C. Kjo diferencë mund të krijojë rrezik për fluturimet në lartësi të mëdha dhe temperatura ekstreme.

Agjencia paralajmëron se nëse një avion furnizohet gabimisht me “Jet A” në fluturime ndërkontinentale, karburanti mund të kristalizohet gjatë udhëtimit, duke bllokuar filtrat dhe tubacionet e motorëve.

Ekspertët e aviacionit shpjegojnë se kjo mund të sjellë ulje të fuqisë së motorëve ose edhe fikje të tyre në raste ekstreme.

Në buletinin e sigurisë, EASA thekson gjithashtu se kalimi nga “Jet A-1” tek “Jet A” mund të krijojë konfuzion operacional mes furnitorëve, ekuipazheve dhe kompanive ajrore, veçanërisht gjatë planifikimit të fluturimeve.

Sipas pilotëve të konsultuar nga media italiane Corriere della Sera, edhe ndryshimet e vogla në densitetin dhe përbërjen e karburantit ndikojnë drejtpërdrejt në llogaritjen e autonomisë së fluturimit, konsumit dhe performancës së motorëve.

Megjithatë, EASA sqaron se bëhet fjalë për një situatë të përkohshme dhe se dokumenti nuk duhet interpretuar si vendim për zëvendësimin përfundimtar të karburantit standard europian “Jet A-1”.

Agjencia shton se para sezonit dimëror të fluturimeve, në fund të tetorit, situata do të rivlerësohet dhe udhëzimet mund të përditësohen ose anulohen në varësi të zhvillimeve në tregun global të karburanteve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related