“Jemi në shesh më të vendosur se kurrë”/ Protestuesi: Kërkojmë dorëheqjen e Ramës, koncerti i Kanye West po bojkotohet

Data

Protesta e 39-të kundër qeverisë vijoi mbrëmjen e së mërkurës përpara godinës së Kryeministrisë, ku qytetarët marshuan me thirrje si “Shqipëri e Re”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Rama, jep dorëheqjen”.

Një nga protestuesit u shpreh se pjesëmarrësit janë më të vendosur se kurrë për të vijuar protestat deri në realizimin e kërkesave të tyre, duke theksuar se kushtet atmosferike nuk do ta ndalin mobilizimin.

“Jemi në shesh më të vendosur se kurrë për të kërkuar dorëheqjen. Protesta do të vazhdojë pavarësisht kushteve atmosferike. Më e rëndësishme për ne është Shqipëria. Këtu jemi në mbrojtje të saj”, deklaroi ai.

Protestuesi kritikoi gjithashtu vendimin e qeverisë për financimin e koncertit të Kanye West, duke pretenduar se fondet publike duhej të përdoreshin për përballimin e emergjencave dhe mbështetjen e qytetarëve të prekur nga fatkeqësitë natyrore.

Ai pretendoi se koncerti po përballet me mungesë interesi, duke shtuar se, sipas tij, “jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt e kanë bojkotuar atë koncert”.

Në përfundim, qytetari u bëri thirrje pjesëmarrësve që, nëse marrin pjesë në koncert, të brohorasin sloganin “Rama, jep dorëheqjen”, ndërsa ritheksoi se protesta do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related