Një ish-senator francez është shpallur fajtor pasi hodhi lëndë narkotike në pijen e një deputeteje me qëllim abuzimin seksual. Gjykata e dënoi atë me katër vite burg, nga të cilat 18 muaj do t’i vuajë në qeli, si dhe me pagesën e 5 mijë eurove dëmshpërblim për dëmin emocional ndaj viktimës.
Ngjarja ndodhi në nëntor të vitit 2023, kur ish-senatori, 68 vjeç, e ftoi deputeten 50-vjeçare në apartamentin e tij në Paris. Ai pranoi se kishte hedhur MDMA (ekstazi) në pijen e saj, por pretendoi se veprimi kishte qenë aksidental dhe mohoi qëllimin për sulm seksual.
Sipas dëshmisë së deputetes në gjykatë, ajo kishte shkuar për të festuar rizgjedhjen e tij, por pas konsumimit të një gote shampanje filloi të ndihej keq dhe të humbiste kontrollin. Ajo arriti të largohej nga apartamenti dhe u dërgua në spital, ku analizat toksikologjike konfirmuan praninë e një sasie MDMA-je tre herë më të lartë se doza e zakonshme.
“Kisha shkuar për të vizituar një shok dhe zbulova një agresor,” deklaroi ajo gjatë gjyqit, duke shtuar se kishte frikë të tregonte dobësinë e saj nga frika se situata mund të përkeqësohej.
Në fjalën e tij para gjykatës, i pandehuri kërkoi ndjesë publike:
“Më vjen keq. Jam i neveritur me veten time, me pamaturinë dhe budallallëkun tim.”
Rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik në Francë, duke rikthyer në vëmendje çështjen e dhunës seksuale dhe abuzimit me pushtetin në politikë.
