Deputeti socialist, Plarent Ndreca, është dërguar për gjykim së fundmi nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, në një procedurë për rikonstruksionin e disa komisariateve, gjatë kohës që ai ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Për procedurën e zhvilluar në vitin 2019, me vlerë fillestare 54 milionë lekë të reja, e cila më pas u reduktua në 34 milionë lekë të reja, janë marrë të pandehur dhe janë dërguar për gjykim edhe 15 persona të tjerë, anëtarë të komisionit të zhvillimit dhe verifikimit të tenderit.
Ky rast hetimor përbën një shembull tipik të standardeve të dyfishta që ndjek Prokuroria e Posaçme, sidomos sa u përket aplikimit të masave të sigurimit.

Në raste të ngjashme, SPAK-u ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”. Ndërkohë që për Plarent Ndrecën, i njohur më së shumti për “zhurmën” që bën në Parlament, në mbrojtje të aferave koncesionare të qeverisë së Edi Ramës, hetimi është zhvilluar në gjendje të lirë.
