Avokati i njohur, Idajet Beqiri ka folur për hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për ish-presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në një intervistë për gazetën Z.Beqiri shprehet se dosjet e tyre janë “mal” në SPAK dhe ata nuk do t’ia hedhin dot paq drejtësisë. Nga ana tjetër, avokati ka zbardhur disa pasuri fshehura të Metës, disa prej të cilave kanë rënë në gjurmët e prokurorëve. Sipas Beqirit, ditëlindja e Ilir Metës në Lalëz ku janë shpenzuar 500 mijë euro pritet t’i hapë shumë probleme presidentit të Partisë së Lirisë. Ndërkohë për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, avokat Beqiri paralajmëron të tjera telashe me drejtësinë për ish-kryeministrin Sali Berisha.
-Avokat Beqiri, gjykata ka rrëzuar sërish kërkesën e ish-kryeministrit Berisha për sa i përket ndryshimit të masës së sigurisë ku me datë 21 qershor pritet edhe ndërprerja e mandatit të tij, pas mos paraqitjes prej gjashtë muajsh në Kuvendin e Shqipërisë. A duket se rrethi i tij, izolimi shtëpiak e politik po vjen gjithnjë e më shumë në ngushtim e sipër sipas jush?
Problemi është që ndaj tij, Parlamenti është shprehur duke i hequr imunitetin për sa i përket masës së sigurimit. Derisa Parlamenti i Shqipërisë, ka vendosur që ndaj tij mund të merret masa e sigurimit edhe arrest shtëpie edhe arrest me burg edhe për rastin konkret Gjykata i dha arrest shtëpie. Që nga ky moment, imuniteti i tij tashmë është i kufizuar e nuk del dot të shkojë në Parlament por do t’i nënshtrohet kësaj mase sigurie që është dhënë për një çështje penale që është regjistruar dhe që është marrë person nën hetim për korrupsion të lartë shtetëror. Në këtë aspekt, çdo lloj kërkese që ai ka bërë që kjo masë t’i hiqet, duke paraqitur pretendimet e tij që kanë të bëjnë me idetë se unë nuk e kam bërë këtë vepër penale, etj, këto janë rrëzuar nga Gjykata, edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë, ku janë bërë disa kërkesa e të gjitha kanë qenë me një njëjtin objekt, por të gjitha janë rrëzuar. Edhe Gjykata e Apelit e ka rrëzuar, madje dhe Gjykata e Lartë i ka rrëzuar, këto kërkesa të tij dhe të dhëndrit të tij. E për rrjedhojë edhe kjo kërkesë nuk ishte se solli diçka të re por ishte e njëjta në linjë me të parat dhe Gjykata vendosi të mos ia pranojë e t’ja rrëzojë edhe këtë kërkesë. Çështja e mandatit është e diskutueshme, sepse jo automatikisht po nuk vajte gjashtë muaj në Parlament e humbet mandatin, pasi varet dhe për cilat shkaqe nuk vajte në Parlament. Në fakt ai nuk vete dot në Parlament pasi është i ndaluar pasi ka një masë sigurimi ndaj tij, e për rrjedhojë Parlamenti nuk diskuton. Berisha nuk shkon dot në Parlament pasi është nën masë sigurie e ndaj nuk del dot. Nuk është problemi se nuk do të shkojë, por nuk e lë kjo masë shtrënguese që është marrë ndaj tij, për shkak të një vepre penale që është regjistruar në ngarkim të tij, e për rrjedhojë, derisa kjo masë sigurimi të ekzistojë, ai nuk shkon dot. Në rast se ai, merr nesër pafajësinë ose nuk merret i pandehur por pushohet çështja dhe thuhet që nuk ka element të veprës penale, nuk i thua dot që ti kalojë gjashtë muaj e nuk duhet të shkosh më në Parlament. Jo ai do vazhdojë të shkojë në Parlament.
-Fakti që zoti Berisha e ka vulën por ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, a duket kjo një mallkim për vetë PD në këto kushte, si e lexoni të gjithën këtë?
Ajo është një parti e cila është marrë peng nga Sali Berisha dhe ai faktikisht Foltoren për këtë shkak e krijoi. E krijoi që të kishte një suport politik. I grabiti kryetarllëkun Lulzim Bashës, ia mori me dhunë, ia mori me mjete të kundër ligjshme pavarësisht se çfarë vendosi Gjykata, por e gjithë ajo procedurë faktikisht ishte anti-ligjore, ishte anti-Kushtetuese e gjitha. Në oponencën time, kemi të bëjmë me një vendimmarrje politike dhe jo juridike, sepse juridike kurrë nuk mund të regjistrohet Foltorja për mënyrën sesi e ka paraqitur të gjithë vendimmarrjen e vetë dhe çdo gjë është bërë jashtë ligjit mbi partitë politike. Është bërë në kundërshtim flagrant dhe me Kushtetutën e Republikës, është bërë në kundërshtim flagrant me liritë dhe të drejtat e njeriut, sepse i ka hequr ish-kryetarit të partisë, i zgjedhur me një anëtarë një votë dhe që ka votuar dhe vetë Berisha për Lulzim Bashën. Dhe tani e shkarkon si Zhukovi në ajër dhe nuk i merr as mendimin për të qenë palë ai në Gjyq, te gjyqi i Zhukrit dhe të tjera. Është anti-kushtetuese e nuk ta fal njeri një vendimmarrje të tillë. Por pavarësisht kësaj, ai e mori se e do ta ketë suport politik, për të thënë që unë jam kreu i opozitës dhe prandaj të gjitha këto procedime penale që tashmë njëri është i regjistruar për kompleksin ‘Partizani’ e për të tjerat që do të vazhdojnë të regjistrohen se 21 Janari që ai është vrasës e organizatori i vrasjeve. Ajo sapo është vendosur në Gjykatën e Lartë dhe do të hetohet tani nga SPAK-u dhe për këtë do të merret i pandehur për këtë krim të rëndë që është bërë. Do të merret i pandehur edhe për Gërdecin, për CEZ-DIA-n, sikurse do të merret i pandehur edhe për aktet terroriste ndaj Ambasadës Amerikane, sikurse do të merret i pandehur edhe për aktin e rëndë të shkeljes së embargos dhe që ka shkaktuar viktima të panumërta në Srebenicë e në të gjithë Bosnjën e me trafikun e armëve e karburantit në Kosovë.
-Vula do i mbetet në dorë le të themi si një relike Berishës për faktin që kemi një marrëdhënie atipike mes ndërkombëtarëve. Dje humbi gjyqin e Apelit, që kishte ankimuar si person non-grata në Britaninë e Madhe, SHBA gjithashtu kanë dalë me të njëjtin qëndrim që kanë patur dhe para marrjes së vulës nga grupimi i zotit Berisha.
Pikërisht për këtë ai e mban vulën, thjesht dhe vetëm që t’ju dalë përpara këtyre krimeve të rënda që ka filluar të akuzohet e ku do të marr dënimin e merituar. Ai do të thotë që unë jam kreu i opozitës dhe vulën e kam si kryetar i PD e me këtë vulë që kam, unë po dënohem si kreu i opozitës dhe po hetohem por jo për krimet që kam bërë, e korrupsionin e lartë shtetëror, për vrasjet që kam bërë. Ai tani e di që është në proces të tyre por faktikisht po merr më qafë opozitën reale.
-I bie në këto kushte, ai nuk po mendohet më për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës nga opozita e nga PD-ja gjithashtu?
Absolutisht sepse ai po e mban peng dhe nga opozitë po e kthen në një organizatë kriminale sepse po bëhet ajo mbështetësja e krimeve të tij. Ai është në arrest shtëpiak. Ata dalin e i vënë flakën Bashkisë e tentojnë të vrasin dhe gazetarët me molotovë që iu hedhin nga surrati, thjesht e vetëm se thonë lironi Saliun. Në këtë aspekt ai po kriminalizon, atë pjesë që mund të quhesh opozitë, se nuk është më opozitë e aq më keq pastaj kur edhe SHBA e kanë shpallur ‘non-grata’ dhe Britania e Madhe që ia rrëzoi Apelin pasi e di se i ke kryer këto krime e duke dëmtuar dhe interesat e Mbretërisë së Bashkuar. Me këto veprime, po e çon ‘non-gratën’ te PD e vulës tashmë, e cila ka këtë barrë kaq të rëndë në zgjedhjet e 2025-ës, sepse nuk njihet dhe quhet e gjitha ‘non-grata’ tashmë nga SHBA. Ne në zgjedhjet e 2025-ës shkojmë pa PD, por me një grusht njerëzish që ushqejnë ose mbajnë gjallë krimet e Berishës.
-Prokuroria ka konfirmuar faktin se po thellohen hetimet për çiftin Meta-Kryemadhi dhe do të ketë dhe persona të tjerë që do të thirren për të zbardhur detaje lidhur me transaksionet dhe pasuritë e tyre. Mendoni se do të ketë persona që do të vendosen para drejtësisë lidhur me dosjet që ka Meta-Kryemadhi në SPAK?
Problemi i çiftit Meta-Kryemadhi, në këto 30 vite është një magazinë e pafundshme korrupsioni, krimi të organizuar dhe për korrupsion Ilir Meta ka bërë dhe vrasje për të realizuar objektivat e veta. Ka menduar se kurrë nuk do të hetohet e duke menduar se ai ishte supermacia e më i forti i këtij vendi se u bë dhe President. Nuk ka sektor të jetës, nuk ka privatizim, nuk ka koncesion që është dhënë pa futur duart e pista Monika Kryemadhi por sidomos Ilir Meta në krim dhe në korrupsion. Ai është i mbushur në këtë drejtim dhe ulërimat e tija e dalja nga vetja e tij dhe sulm kundër SPAK, i bën se i ka vajtur thika në palcë. Akuzat e rënda që i kanë bërë për vjedhjet e paskrupullt, si vjedhja e floririn e Kërrabës ku pati dhe të vrarë, me CEZ-DIA-n ku pati të vrarë, me privatizimet e tjera të panumërta, e qoftë dhe me pasuritë marramendëse që ka. Vetëm në Londër ka 51 asete si hotele, bare, restorante. SPAK tani ka filluar me rrënjë, po shikon edhe një ditëlindje 500 mijë euro apo vetëm operacionet estetike në San Marino, të shkojnë 289 mijë euro, bashkë me familjen e tij, etj, kuptohet se nga i gjeti këto para, ku paga vjetore nuk i shkon më shumë se 12 mijë euro e ndërkohë minimalisht shkollimi në Angli i vetëm njërit fëmijë i shkon mbi 100 mijë euro.
