Associated Press: Protestat në Shqipëri tërheqin vëmendjen ndërkombëtare, në fokus qytetarët pas “Revolucionit të Flamingove”

Data

Protestat kundër projektit të zhvillimit turistik në zonën e Sazanit dhe Lagunës së Nartës kanë tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare, me agjencinë prestigjioze Associated Press që i kushton një reportazh lëvizjes qytetare dhe personave që e përfaqësojnë atë.

Në artikull theksohet se prej javësh mijëra qytetarë marshojnë çdo mbrëmje në rrugët e Tiranës, duke mbajtur figura flamingosh, simbol që i ka dhënë protestës emrin “Revolucioni i Flamingove”.

Reportazhi ndalet te disa prej pjesëmarrësve aktivë në protestë.

Një prej tyre është artistja Fatma Paja, e cila së bashku me motrat e saj realizon flamingot që përdoren gjatë demonstratave. Ajo shprehet se e përdor artin për të denoncuar padrejtësitë dhe kundërshton projektin turistik, të cilin e cilëson si të dëmshëm për mjedisin dhe pa transparencën e nevojshme.

Associated Press sjell edhe historinë e Arben Kolës, guidë turistike dhe një prej organizatorëve të protestave. Ai deklaron se vendimi për t’iu bashkuar lëvizjes erdhi nga shqetësimi për korrupsionin, mënyrën e administrimit të pasurive publike dhe zhvillimet në zonat e mbrojtura natyrore.

Në reportazh përfshihet edhe qëndrimi i kryeministrit Edi Rama, i cili në një intervistë për Associated Press ka hedhur poshtë kritikat mjedisore, duke deklaruar se projekti synon të tërheqë investime të mëdha ndërkombëtare dhe se procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis do të zhvillohet pasi të finalizohet projekti.

Artikulli ndalet gjithashtu te pjesëmarrja e pensionistëve në protesta, duke veçuar 70-vjeçaren Bujare Ishmi, e cila merr pjesë pothuajse çdo mbrëmje. Ajo shprehet se nuk është kundër investimeve të huaja, por kërkon më shumë transparencë dhe respektim të standardeve ligjore dhe mjedisore.

Sipas Associated Press, protesta ka fituar mbështetje përtej aktivistëve mjedisorë, duke u shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, ku shumë pjesëmarrës kërkojnë jo vetëm ndalimin e projektit, por edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related