Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka komentuar dje situatën politike, duke e ndalur theksin tek zhvillimet brenda PD, receta se si bashkohet opozita, ambicia që forca e tij politike ka në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, situata në të cilën ndodhet ish-kryeministri Sali Berisha dhe çështja e vulës së PD që pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, kryedemokrati Basha është shprehur se ish-kryeministri Berisha bën betejë për interesat e veta, për të qëndruar në lojën politike. Sipas tij, Berisha nuk është zgjidhje dhe duhet të bëjë një hap pas. Ai shtoi se të gjithë demokratët dhe opozitarët që janë afruar te Berisha, janë afruar pas premtimeve të ish-kryeministrit se Rama do të rrëzohej brenda 6 muajve, gjë që nuk ndodhi. “Shumica e shqiptarëve nuk pajtohen me gjendjen e Shqipërisë. E shohin qartë që Shqipëria është në drejtim të gabuar. Si i jepet këtyre shqiptarëve arsyeja për të shkuar për të votuar në radhë të parë dhe për të votuar PD-në. Një program që shpaloset hap pas hapi, jo në minutë të fundit. Cilido që e sheh veten në këto parametra, e ka derën të hapur në PD. Cilido që bën llogari personale mbi këto interesa të publikut dhe të PD, i mbyll derën vetes. Ne nuk i mbyllim derën askujt. Që njerëz kanë ikur te Berisha për të qëndruar në listën e kryetarit, kjo është e dukshme. PD qëndron për lista të hapura. Më të mirin e zgjedh vota e qytetarëve dhe jo kryetari. PD sot ka strukturat e saj në çdo cep të vendit. Propaganda e Ramës dhe dëshirat e tyre bashkohen sikur ky nuk është realiteti. Por ky është realiteti. Nëse bëjmë një betejë për të ndenjtur në lojë, atëherë është betejë për veten tonë. Nëse bëjmë një betejë për t’i sjellë shqiptarëve shpresë për ndryshim, atëherë duhet të biem dakord për disa parametra. Një nga parametrat është që Berisha nuk është zgjidhje, nuk mund të japë zgjidhje për këtë situatë. Pavarësisht se kjo ishte pikënisja e situatës që përjetojmë tani, Berishës i takon të bëjë një hap pas dhe të bëjë gjithçka që ka në dorë në atë pjesë të demokratëve që afroi me pretendimin se brenda 6 muajve Rama do rrëzohej, ta lërë të japë maksimumin e vetë në një konvergim të madh faktorësh politik dhe shoqëror”, deklaroi ai.
Zgjedhjet parlamentare
Më tej kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha në një intervistë për Euroneës Albania se synon që në zgjedhjet e 2025 të sigurojë 71 deputetë. Ai tha se ka besimin se Partia Demokratike do të jetë partia e parë politike që do shpalosë programin dhe ekipin që qytetarët të familjarizohen. Megjithatë ai theksoi se do duhet pak kohë për të bërë këtë shpalosje. “Synimi ynë është të gravitojmë një proces politik që një fakti të pakontestueshëm nga askush, që shumica numerike, biologjike e shqiptarëve duan ndryshim le ta kthejmë në një realitet politik. thënë më thjeshtë, shumica e shqiptarëve nuk e duan këtë qeveri, nuk e duan këtë kryeministër, e shikojnë si burimin e çdo të keqe. Detyra jonë është që këtë shumicë biologjike ta kthejmë në një shumicë votuesish ditën e votimit. Që të arrihet kjo kemi disa sfida përpara. Sfida kryesore është që përmes një aleance të gjerë vlerash të bindim këtë shumicë dërmuese shqiptarësh, se ia vlen të dalësh e të votosh, për Partinë Demokratike ose për aleatët tanë, për një ndryshim të kësaj. Në funksion të kësaj është e gjithë veprimtaria politike jonë. Që kjo të ndodh minimalisht duhet të fitojmë 71 deputetë. Por sfida jonë nuk është një sfidë numerike, por një sfidë politike”, u shpreh ai.
Bashkim i opozitës
Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka theksuar se demokratët duhet të bashkohen për të zgjidhur problemet e krijuara, sipas tij nga qeverisja e Edi Ramës në këto 12 vite. Basha deklaroi se opozita duhet të niset nga qëllimi për të mbrojtur interesat e shqiptarëve, e për këtë Partia Demokratike është e hapur për bashkimin, ndërsa shtoi se kjo u jep shpresë dhe besim shqiptarëve. “Vija blu është të bashkohemi rreth një alternative që i jep shpresë dhe besim shqiptarëve që këta që pretendojnë të vijnë, nuk bëjnë thjesht rotacion karrigesh, por do zgjidhin problemet e bëra kapicë për 12 vite nga kjo qeveri dhe nga ky kryeministër. Nëse nisemi nga kjo dhe jo nga një këndvështrim i ngushtë personal, atëherë ka kaq shumë punë për të bërë”, tha ai. Basha tha gjithashtu se në dy vite e gjysmë, opozita dhe përçarja e saj, kanë ndihmuar kryeministrin Rama dhe qeverisjen e tij. “Përditshmëria e shqiptarëve kudo që ta kapësh vuan pasojat e kësaj keqqeverisje. Agjenda sociale e Shqipërisë është më e mjeruara në 34 vite. Krahasojeni me Kosovën, nivelin e pensioneve, të arsimit, subvencionet e fermerëve. Ka kaq shumë për të bërë, nëse dalin nga kutia e lojës politike, ku është futur, duke ndihmuar edhe Edi Ramën dhe Partinë Socialiste ku opozita është dy vite e pak. Agjenda jonë politike në Partinë Demokratike, është kryesisht e fokusuar te kjo”, theksoi Lulzim Basha.
Vula dhe logoja e PD
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur i bindur se vula dhe logoja nuk do t’i shkojnë Sali Berishës dhe grupit të Rithemelimit, në një kohë që priten zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025. “Vula dhe logoja nuk kanë pikë rëndësie nëse ke alternativë”, tha Lulzim Basha. I pyetur si do të hyjë në zgjedhje, nëse Gjykata ia jep vulën Sali Berishës, Basha është shprehur se nëse zbatohet ligji, kurrsesi sipas tij nuk ka shanse diçka e tillë. “Nuk ka shanse. Nëse do të zbatohet ligji është e qartë është 100%, nuk është 99%. Kjo çështje nga ana ligjore është e zgjidhur”, shtoi ai. Edhe pse gazetari insistoi me pyetjen e tij hipotetike nëse ka një mundësi që Berisha të marrë vulën dhe logon e PD, nga ana tjetër Basha theksoi nëse kjo ndodh, mund të jetë një problem i ndërkombëtarëve dhe jo i partisë së tij. “Nëse i fusin në thes gjyqtarët, atëherë ky nuk është problemi i Partisë Demokratike, është problem i SPAK, është problem i faktorit ndërkombëtar, asgjë nuk e devijon vendosmërinë tonë për të dalë para qytetarëve me alternative”, u shpreh Basha.
