Jo vetëm Bashkia e Tiranës, por edhe Belinda Balluku nëpërmjet drejtorëve të saj kanë krijuar një skemë “5D”, duke marrë miliona euro nga buxheti i shteti. Gazeta ka publikuar në disa artikuj skemën e dyshuar korruptive të kreut të OSSH Blendian Dalipi, i cili është një nga njerëzit më të afërt të zëvendëses së Edi Ramës. Në skemën e zbardhur nga emisioni Plug, që tashmë është denoncuar edhe në SPAK, drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në varësi direkte të Belinda Ballukut, Blendian Dalipi, del se ka përfituar miliona euro tendera nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanisë së tij dhe asaj të babait të tij.
Të gjitha skandalet
Shtetasi Bajram Dalipi, i cili është babai i Blendian Dalipit, rezulton se është pronar i kompanisë I.D.K. Konstruksion. Kompania e Bajram Dalipit, e themeluar në vitin 2004, do të rriste aktivitetin e saj financiar pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Nga viti 2013 e deri më sot, kompania I.D.K. Konstruksion në pronësi të babait të drejtorit të OSSH, Blendian Dalipi ka përfunduar mbi 30 milionë euro tendera publik, shumë prej të cilëve janë marrë nga institucione në varësi të Belinda Ballukut. Skandali thellohet më tej, pasi paratë e marra nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanisë I.D.K konstruksion të Bajram Dalipit, kanë përfunduar në xhepat e djalit të tij, Blendian Dalipi, një nga njerëzit më të afërt të Belinda Ballukut.
Dokumentet zyrtare
Pasi merrte projekte publike, kompania e Bajram Dalipit kontraktonte për kryerje punimesh kompaninë ABNID, e cila rezulton se është në pronësi të djalit të tij, Blendian Dalipi, që gjithashtu mban postin e drejtorit të OSSH. Nga dokumentet zyrtare që gjenden në qendrën kombëtare të biznesit, rezulton se kompania e Blendian Dalipit, ABNID shpk, ka përfituar mbi 11 milionë euro nga kompania e babait të tij, I.D.K. Konstruksion, e cila paratë i merrte nga buxheti i shtetit, të cilat përfundonin në xhepin e drejtorit të Belinda Ballukut në formën e dividentit, që ai ka tërhequr ndër vite. Elementë të tjerë që ngrenë dyshime se të dyja kompanitë kontrollohen nga Blendian Dalipi, është fakti se 8 punonjës, rezultojnë të jenë në borderotë e të dyja kompanive, ABNID që është në pronësi të Blendian Dalipit dhe IDK Konsruksion në pronësi të babait të tij.
Tendera direkte nga bashki të ndryshme
Kompania ABNID gjatë kohës që pronari i saj ishte drejtor në poste publike, ka përfituar edhe tendera direkt nga bashki të ndryshme të vendit, duke ngritur këtu jo pak dyshime për konfliktin e interesit. Sikur të mos mjaftonin këto, kompania e babait të Blendian Dalipit ka marrë edhe një licensë për ndërtimin e një parku fotovoltaik me procedura të përshpejtuara, me firmë të kryeministrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku. Të gjithë këto fakte të siguruara nga emisioni Plug janw pasqyruar nw gazetën “SOT”, bashkë edhe me të dhëna se si gjatë kohës që Blendian Dalipi ka qenë në krye të OSSH ka dhënë plotë 44 milionë euro tendera pa garë, duke ngritur dyshime për abuzime.
Dosja në SPAK
Këtë dosje, Partia Demokratike e ka çuar në SPAK. Opozita e quan një model anti-biznes, anti-konkurrencë dhe sipas tyre nuk është thjeshtë korrupsion, por një sfidë e radhës për organet e drejtësisë së re për të treguar paanshmëri dhe efikasitetin e kërkuar në parandalimin e abuzimeve të kësaj shkalle me taksat e qytetarëve shqiptarë.
