Buxhetit të Bashkisë së Durrësit i mungojnë më shumë se 630 milionë lekë, ose 6,3 milion euro. Një fakt i tillë konstatohet nga Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit që i përket vitit 2024. Institucioni më i rëndësishëm i auditimit në vend, konstaton se këto të ardhura i mungojnë llogarisë së bashkisë. Rezulton se në 1 janar të vitit 2018 në këtë llogari ka pasur 7,3 milion euro, brenda pak muajsh kjo llogari është pakësuar me 1milion euro dhe në fund të vitit 2018 llogaria pothuajse është zbrazur. Në të kanë mbetur gati 1 milion euro.
KLSH thotë se për pakësimin e kësaj llogarie, nuk është marrë asnjë masë nga pasuesja e Vangjush Dakos, Emirjana Sako e cila e mori drejtimin e bashkisë në vitin 2020. Brenda një viti nga kjo llogari u zhdukën 6,3 milion euro nga taksat dhe tarifat vendore, por Bashkia e Durrësit nuk ka administruar asnjë vendim, shkresë apo dokumentacion për vlerën e pakësuar, thekson KLSH në raportin e këtij viti
Kërkesa
Bashkisë së Durrësit të drejtuar nga Sako i kërkohet akoma edhe sot të bëjë saktësimin e vlerës të kërkesave për arkëtim mbi debitorët për të gjitha subjektet tatimpagues, duke përllogaritur detyrimet tatimore bazuar në paketën fiskale të miratuar në vite dhe nëse dalin diferenca të planifikohen për t’u arkëtuar dhe identifikuar debinë aktuale. Po ashtu përgjatë vitit 2021 bashkia e drejtuar nga Emirjana Sako rezulton të ketë 1,5 milion euro detyrime të papaguara, ndërsa në fund të vitit 2022 këto detyrime janë 1,1 milion euro. KLSH konstaton se Bashkia e Durrësit ka realizuar vetëm 84%, të buxhetit. Ndonëse qytetarët presin investime, 56 projekte, nuk janë realizuar fare për shkak se nuk janë kryer procedurat e prokurimeve. Po ashtu janë 41 projekte të tjera që janë financuar pjesërisht duke mbetur të parealizuara, raporton “Top Channel”.
Akuza për rindërtimin
Ndërkohë pesë vjet pas tërmetit tragjik, familja e Sakip Kotes në Durrës nuk ka ende një strehë. Shtëpia e tyre i shpëtoi tërmetit por u prish nga shembjet me shpërthim të kontrolluar të pallateve të dëmtuara në lagjen nr. 17 të qytetit bregdetar. Pothuajse çdo ditë Sakipi vjen në dyert e bashkisë për të kërkuar banesën që iu premtua nga kryetarja e bashkisë, pas shembjes. “Kam 5 vite që vij këtu. Interesohem, kam kontaktuar, kam takuar kryetrarët disa herë. Problemi është që nuk po na japin zgjidhje. Po bëjmë vite që jetojmë rrugëve”, u shpreh Sakip Kote. Baba i tre fëmijëve dhe i vetmi që punon e siguron të ardhura për familjen e tij me 6 anëtarë, ai shprehet i dëshpëruar që nuk po merr një zgjidhje përfundimtare. Në vendin ku ndodhej shtëpia e tij përdhese tani ngrihet një kompleks pallatesh nga fondet e rindërtimit. Shumë familjeve u janë dorëzuar çelësat, por atyre jo. Në të njëjtat kushte janë dhe disa familje të tjera.
“Unë të rri me qira, dhe këtu ku kam pasur shtëpinë ndërtohet pallati dhe të mos më japë shtëpi mua… ashtu siç u kanë dhënë të tjerëve, të më japin dhe mua, u shpreh Mereme Kote, bashkëshortja e Sakip Kotes. Me letrat në dorë që dëshmojnë se e kanë blerë shtëpinë para më shumë se dy dekadash dhe kanë shlyer rregullisht detyrimet, ai bashkë me gruan, fëmijët dhe nënën shohin me trishtim e shpresë pallatin ku iu premtua se do të merrnin apartamentin e tyre. “Atje ku e keni do ua japim. Atyre të tjerëve u dhanë. Madje edhe ata që s’kanë pasur shtëpi këtu, kanë marrë”, u shpreh nëna e Sakip Kotes, Xhevahire Kote, raporton “Top Channel”. Fillimisht, kryetarja e bashkisë i premtoi familjes se do të merrte një apartament të ri me të njëjtën sipërfaqe të shtëpisë që i prishën, po procedurat dhe premtimet kanë ndryshuar gjatë rrugës.
Jo vetëm familja Kote, por edhe disa të tjera që i kishin blerë shtëpitë ishin në proces legalizimi, kur ato u shembën. E ndërsa pallati ndërtohej me shpejtësi dhe zemra e tyre gëzonte, në vitin 2022, Kadastra me një shkresë i përjashton nga legalizimi duke u cenuar arbitrarisht të drejtën për strehim. Pa bonus qiraje, ata kanë lëvizur së fundmi, nga banesa në banesë, duke u përballur me vështirësi ekonomike dhe pasiguri për të ardhmen e tyre, po me shpresën se këtë fundviti do të munden t’i gëzohen shtëpisë së tyre. “Unë dua që para Vitit të Ri të kem shtëpinë time te pallati që është ndërtuar”, shprehet djali 11-vjeçar, Arlind Kote.
